Me 16 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Margeritën e Skocisë.
(16.11.2010 RV)Margerita e Skocisë lindi në mërgim, pranë oborrit mbretëror të Shën
Shtjefnit të Hungarisë, më 1046. Ishte bija e Eduardit mërgimtar dhe e Ages, motra
e mbretëreshës hungareze dhe mbesa e mbretit Edmondi II. Në vitin 1054, së bashku
me familjen, u rikthye në atdhe pas pushtimit të Anglisë nga normanët. Gjeti strehim
në Skoci, pranë oborrit mbretëror të Malkolmit III, me të cilin u martua në vitin
1069. Menjëherë pas martesës nisi të ndjehet fuqimisht ndikimi i saj në oborrin
mbretëror skocez. Falë kulturës të jashtëzakonshme dhe këshillave të vlefshme që i
jepte të shoqit, vendi nisi të përparonte dukshëm. Nën mbrojtjen e saj u bënë
disa reforma liturgjike, u ndërtua abacia e Trinisë në Dunfermlin, u rivendos praktika
e agjërimit kreshmor dhe e kungimit për Pashkë. Nga martesa me Malkolmin III pati
gjashtë djem e dy vajza, të cilëve u dha një edukatë thellësisht të krishterë. Tre
prej djemve do të bëheshin mbretër të Skocisë. E ndërsa përballonte punën për edukimin
e fëmijëve e kujdesej për oborrin mbretëror, ajo nuk i harroi kurrë të varfrit, të
vuajturit, të sëmurët e jetimët. Prandaj nënshtetasit e deshën shumë. Në vitin
1093 iu desh të përballojë një humbje të madhe: i vdiq bashkëshorti, Malkolmi III
dhe trashëgimtari i tij, djali i madh, Eduardi, që u vranë në një pritë pranë Alnvikut.
Duke mos mundur ta përballojë dhimbjen e thellë, mbretëresha u sëmur e vdiq pak kohë
pas tyre. U varros në një varr me mbretin në abacinë e Dunfermlinit, ndërtuar prej
saj. Shumë shpejt varri i mbretëreshës u bë cak shtegtimesh. U shpall shenjte në vitin
1249 nga Papa Inoçenci IV, ndërsa Pajtore e Skocisë, në vitin 1673.