2010-11-16 16:50:11

Bisedimet katoliko-islame në Teheran: po lirisë fetare e rolit të saj shoqëror


(16.11.2010 RV)Myslimanët në të gjithë botën festuan sot Kurban Bajramin. Kremtime u bënë edhe në Shqipëri e sidomos në Tiranë, me pjesëmarrjen e autoriteteve dhe të përfaqësuesve të feve të tjera në vend.
Pikërisht sot, u bë e njohur edhe komunikata përfundimtare e takimit të 7-të ndërmjet Qendrës për Dialogun Ndërfetar të Organizatës për Kulturën dhe Marrëdhëniet Islamike të Teheranit dhe Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Bisedimet u mbajtën nga data 9 deri më 11 nëntor në kryeqytetin iranian, nën udhëheqjen e kreut për organizatën islamike, Mohamad Baqer Khorramshad dhe të kreut të dikasterit vatikanas, kardinal Zhan-Lui Toran. Duke u bërë urimet myslimanëve, na duket domethënëse t’ju propozojmë, pikërisht në këtë ditë feste për ta, përmbajtjen e këtij dokumenti, me frymë të theksuar dialogu ndërmjet krishterimit e islamizmit.
“Besimtarët e bashkësitë fetare – fillon dokumenti – mbi bazën e fesë së tyre në Zotin, kanë një rol të veçantë në shoqëri, barabar si qytetarët e tjerë”. “Feja – pohohet më poshtë – ka një përmasë shoqërore të brendshme, që shteti duhet ta respektojë; prandaj, edhe në interes të shoqërisë, feja nuk mund të kufizohet në sferën private”. “Besimtarët – vazhdohet më tej – janë të thirrur të bashkëpunojnë në kërkimin e së mirës së përbashkët, mbi bazën e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet fesë e arsyes”.
Në këtë kontekst, “është e nevojshme që të krishterët e myslimanët, ashtu si edhe të gjithë besimtarët e njerëzit vullnetmirë, të bashkëpunojnë për t’iu përgjigjur sfidave të sotme, duke promovuar vlerat morale, drejtësinë, paqen e duke mbrojtur familjen, ambientin e burimet natyrore”. Në komunikatë nënvizohet se “feja, për natyrën e saj, kërkon lirinë. Prandaj, liria fetare, si e drejtë, që bën pjesë në dinjitetin njerëzor, duhet të respektohet gjithnjë nga individët, nga agjentët shoqërorë e nga shteti. Në zbatimin e këtij parimi themelor, duhet marrë parasysh sfondi historiko-kulturor i çdo shoqërie, që të mos jetë në kontradiktë me dinjitetin e njeriut”.
Më tej, “edukimi i brezave të rinj duhet të bazohet në kërkimin e së vërtetës, të vlerave shpirtërore e në promovimin e ndërgjegjes”. “Pjesëmarrësit – thuhet në fund të komunikatës – të kënaqur nga klima e përzemërt e takimit, duke njohur ngjashmëritë dhe duke respektuar ndryshimet e ligjshme, nënvizuan nevojën e vazhdimit të dialogut të pastër e të frytshëm”. Aktet e Takimeve të tilla, që kanë filluar në vitin 1994, do të publikohen në anglisht dhe në gjuhën farsi të Iranit. Bisedimet e ardhshme do të zhvillohen në Romë pas dy vjetësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.