2010-11-15 14:53:08

Papa në Engjëllin e Tënzot: kriza ekonomike lidhet me çekuilibrime të tjera. Vendimtar, riorganizimi strategjik i bujqësisë.


(15.11.2010 RV)Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot dje, Benedikti XVI foli kryesisht për krizën globale. Kjo situatë, tha Ati i Shenjtë, është simptomë akute, që i shtohet çekuilibrimeve të tjera të rënda. Në këtë kuadër, shtoi Papa, duket vendimtar riorganizimi strategjik i bujqësisë.

Benedikti XVI nënvizoi rëndësinë e punës për jetën e njeriut, aspekt që u kujtua posaçërisht në Ditën e Falënderimit të Zotit për frytet e tokës, kremtuar dje në Itali dhe në fjalët e Shën Palit, në leximin e dytë të liturgjisë. E pikërisht me punën lidhet edhe situata ekonomike e krizës së sotme globale, që vijon ta trondisë njerëzimin e që, vërejti Papa, duhet marrë seriozisht:
“Ajo ka shkaqe të shumta e nis një kumt të fortë për rishikimin e thellë të modelit të zhvillimit ekonomik global (cfr Enc. Caritas in veritate). Është simptomë akute, që i shtohet të tjerave, edhe më të rënda, të cilat tashmë njihen mirë, si humbja e ekuilibrit ndërmjet pasurisë e varfërisë, shkandulli i urisë, emergjenca ekologjike, problemi i papunësisë, tashmë edhe ky i përgjithshëm”.
Në këtë kuadër, shtoi Benedikti XVI, na duket se riorganizimi i bujqësisë është hap strategjik vendimtar:
"Në situatën e sotme ekonomike, tundimi për një ekonomi sa më dinamike nxit për krijimin e aleancave fitimprurëse, që mund të jenë tejet të dëmshme për shtetet e tjera më të varfëra, duke ndikuar kështu, mbi thellimin e varfërisë së plotë të burrave e të grave e duke shterruar burimet natyrore të Tokës, që Zoti Krijues ia besoi njeriut, siç thuhet në Librin e Zanafillës, për ta punuar e për ta ruajtur (cfr 2,15). Veç kësaj, pavarësisht nga kriza, vërehet akoma se në vendet që u industrializuan të parat, nxiten stile jete, me prirje për një konsum të shfrenuar, të dëmshëm edhe për vetë ambientin”.
Bujqësia, e vënë në shërbim të së mirës së përbashkët, kujtoi më pas Papa, mund të çojë në krijimin e modelit të ri të zhvillimit ekonomik global:
Duhet ngulur këmbë, atëhere, me forca të bashkuara, mbi një drejtpeshim të ri ndërmjet bujqësisë, industrisë e shërbimeve, që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm e që askujt të mos i mungojnë buka e puna, ajri e uji; e burimet me rëndësi të dorës së parë të mbrohen si pasuri universale” (cfr Enc. Caritas in veritate, 27).
Puna bujqësore, pohoi me tej Papa, duhet bazuar mbi parime etike dhe stile korrekte jetese:
“Është themelore, prandaj, të kultivohet e të përhapet një vetëdije e qartë etike, në lartësinë e sfidave më të ndërlikuara të kohës së sotme; duhen edukuar të gjithë me konsumin më të urtë, duke e kuptuar përgjegjësinë që ka secili; duhet promovuar përgjegjësia vetjake, njëherësh me përmasën shoqërore të veprimtarive bujqësore, bazuar mbi vlerat e përjetshme, si mikpritja, solidariteti dhe ndarja e përbashkët e fryteve të punës së përditshme”.
E, nuk janë të paktë ata, që kanë zgjedhur rrugën e punës bujqësore:
“Edhe njerëz të diplomuar i rikthehen punës bujqësore, me bindjen se i përgjigjen, kështu, jo vetëm nevojave personale e familjare, por edhe një shenje të kohëve, e duke treguar se e ndjejnë konkretisht detyrën për t’i shërbyer së mirës së përbashkët”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u shprehu përsëri afërsinë e tij popullsive të Haitit që, për shkak të tërmetit të tmerrshëm të janarit të kaluar, tani vuajnë nga epidemia e rëndë e kolerës. I bëri, prandaj, thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i ndihmojë bujarisht këto popullsi. Më pas Benedikti XVI nënvizoi se Kisha në Poloni lutej dje për vëllezërit e motrat, që vuajnë për shkak të Ungjillit. Kujtoi edhe se të shtunën, më 27 nëntor, në Bazilikën e Shën Pjetrit, do të kryesojë Lutjet e para Mbrëmësore të së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes, si dhe një natë lutjeje për fëmijët, që priten të dalin në dritë. Ati i Shenjtë kujtoi edhe irakianët, e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, duke i lypur Zotit dhuratën e paqes për Irakun. Në përfundim, Papa u drejtoi fjalën edhe Bashkëvëllazërive të shumta, që morën pjesë dje në Meshën Shenjte, kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone.







All the contents on this site are copyrighted ©.