2010-11-15 16:05:33

Aung San Suu Kyi rifillon punën në partinë e saj


(15.11.2010 RV)Kryetarja e opozitës demokratike birmane, Aung San Suu Kyi, e liruar të shtunën, pas shtatë vjetësh arrest shtëpiak, rifilloi sot punën në selinë e partisë së saj, Lidhjes Kombëtare për Demokracinë. Do të shkojë aty çdo ditë, në përpjekjen për të riorganizuar opozitën, pavarësisht se partia nuk ekziston më formalisht, pas vendimit për bojkotimin e zgjedhjeve të 7 nëntorit.
Dje, në fjalimin e saj të parë publik pas lirimit, Aung San Suu Kyi i bëri thirrje popullsisë të mos e humbë shpresën, duke kujtuar se demokracia e vërtetë ekziston vetëm kur populli kontrollon qeverinë. Para selisë së partisë, nga ku foli, jo vetëm mijëra vetë, por edhe rreth 30 ambasadorë aziatikë e perëndimorë. Ikona e disidencës birmane tha qartë se ka nevojë për njerëzit e atdheut të vet për të zgjedhur rrugët e idetë më të mira, që e çojnë vendin drejt demokracisë.
Lajmi i lirimit të Aung San Suu Kyi u prit me gëzim në mbarë botën. E përshëndetën presidenti amerikan Barak Obama, qeveria franceze dhe ajo indiane e shumë e shumë veprimtarë të tjerë të paqes. Të dëgjojmë një koment të koordinatores italiane të Amnesty International për Mianmarin (Birmaninë), Ana Violante:
Vlera e lirimit të Aung San Suu Kyi është jashtëzakonisht e madhe për popullsinë birmane e jo aq për besimin, që mund të ketë tani në qeverinë e vendit. Autoritetet politike morën një vendim oportunist, sepse, duke liruar Aung San Suu Kyi, bashkësia ndërkombëtare do ta lirojë pak darën përreth juntës dhe dhunimit të të drejtave të njeriut. Pra, do të merret më pak me të gjitha problemet e tjera, që mbeten. Por, duke qenë Aung San Suu Kyi – bijë e Aung San, hero kombëtar i vendit – simboli më i madh i Birmanisë, me një forcë shpirtërore të jashtëzakonshme, lirimi i saj ka domethënie të madhe për popullsinë birmane. Gjithashtu, ajo nuk ka ndërmend ta pushojë luftën për demokraci e kjo, sigurisht, është shumë e rëndësishme.
Lirimi i Aung San Suu Kyi nuk duhet të na bëjë të harrojmë se në vend ka të burgosur të tjerë politikë…
Në vend ka 2.200 të burgosur politikë, që në 99,9% të rasteve janë të burgosur të ndërgjegjes. Ndodhen në burg vetëm sepse kanë shprehur idetë e tyre. Nga ana tjetër, janë dënuar shumë rëndë, me 60 deri në 90 vjet burg, mbi bazën e ligjeve tepër të errta e të interpretuara në mënyrë arbitrare. Të mos harrojmë se pikë së pari, janë arrestuar pa të drejtë, ashtu si edhe Aung San Suu Kyi.
Pra, duhen vazhduar presionet mbi juntën ushtarake…
Sigurisht që duhet vazhduar presioni mbi juntën ushtarake në fuqi. Duhet vazhduar presioni edhe mbi vendet e organizatës Asean, si edhe mbi Kinën, Indinë e Tajlandën, të cilat janë ato, që kanë më tepër interesa ekonomike në Birmani.







All the contents on this site are copyrighted ©.