2010-11-13 14:36:42

Papa u kërkon besimtarëve të luten për viktimat e drogës e të çdo forme të vesit.


Të droguarit dhe viktimat e çdo forme të vesit janë në qendër të ndjetit të lutjes së Papës për muajin nëntor. Benedikti XVI shpreson që falë përkrahjes e mbështetjes së bashkësisë së krishterë, këta njerëz të ndërrojnë rrugë e ta ndryshojnë krejtësisht jetën. Ne intervistuam përgjegjësin aktual të Bashkësisë Gjoni XXIII, Gjovani Paolo Ramonda, i cili ka zëvendësuar themeluesin e ndjerë, don Oreste Benzi, që e kaloi krejt jetën në përpjekjen për të nxjerrë nga kthetrat e drogës, të rinjtë që i besoheshin. Sot për sot, a bëhet mjaft për të parandaluar konsumin e drogës dhe për të nxjerrë të droguarit nga ky rreth vicioz? Të dëgjojmë Gjovani Paolo Ramondën:............RealAudioMP3
Po, është një problem i thellë, i përhapur ndër të rinjtë, është një problem ekzistencial. Dua të theksoj, se në fund të fundit, është mungesa e nënës dhe e babait, që shkakton krizë identiteti para dhe gjatë adoleshencës, krizë, që shpërthen pastaj në këto probleme si droga, bulimia, anorezia e nganjëherë, fatkeqësisht, edhe vetëvrasja. Siç thoshte don Oreste Benzi: një edukator i mirë, një baba i mirë është ai që e do gruan e vet; një nënë e mirë është ajo që e do burrin e vet. Fëmijët e dshirojn këtë lloj familjeje e kur nuk ndodh kështu – ashtu siç na thonë të rinjtë e droguar në bashkësitë tona terapeutike – dikush duhet të paguajë: ose rebelohen me dhunë, ose shkatërrojnë vetveten.
Dr. Ramonda, kohët e fundit po del në pah një problem tjetër, i cili po minon madje institucionet, së paku në Itali: problemi i një seksualiteti të skajshëm, që e kthen në mall trupin e femrës. Kjo nuk quhet më prostitucion, por “stil jetese”. Po ç’jetë është kjo?
Përmasa e edukimit të shëndoshë, të ekuilibruar, të mençur të seksualitetit, edhe këtu, duhet të bazohet në edukimin, që duhet të japin prindërit fillimisht, e pastaj shkolla. Gjithashtu, është përvoja e fesë së krishterë, që na mëson bukurinë e trupit, që nuk është diçka negative, por pozitive. Trupi është dhuratë e Zotit, nuk është pronë e jona.
Dr. Ramonda, një ves tjetër është ai i kumarit, ndoshta, disi i nënvlerësuar. Mund të luhet jo vetëm në internet, por edhe shteti, me llotaritë e ndryshme, e nxit…
Po, kjo është dramatike. E është tragjedi – që si në rastin e alkoolit – shteti e nxit madje përmes reklamave. Nga njëra anë, u bën thirrje të rinjve të jenë të moralshëm e, nga ana tjetër, financon këto aktivitete. Por edhe këtu, njeriu i sotëm jeton sipas instiktit, sipas emocioneve. Edhe të rinjtë nuk dinë më të kontrollojnë apo të orientojnë mirë emocionet. Duke bashkuar këtë instiktivitet me pulsionet, që jep paraja, me dëshirën për të fituar gjithnjë e më shumë pa sakrifica e përgjegjësi, krijohen drama të vërteta. Në bashkësitë tona, kemi edhe njerëz, nga të cilët varej familja, me këtë ves, që pak nga pak e kanë marrë veten.
Në këtë muaj të nëntorit, Papa u kërkon besimtarëve të luten për viktimat e këtyre veseve…
Po: lutja na bën të kuptojmë se nuk je vetëm ti, që edukon, por me ty, është edhe Zoti. Pastaj, lutja na çon drejt marrjes së përgjegjësisë, si individë e si bashkësi, sepse, siç thoshte gjithnjë don Oreste Benzi: na edukon si bashkësi, si popull. E një popull mund të quhet kështu vetëm nëse di si të sillet me të vegjlit, me të dobtit dhe me personat e braktisur, përndryshe nuk është popull, por një turmë njerëzish, që mendon vetëm për vete.







All the contents on this site are copyrighted ©.