Më 13 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Nikollën I, Papë.
(13.11.2010 RV) Papa Nikolla I, që e drejtoi Kishën katolike universale nga 24 prilli
i vitit 858 deri më 13 nëntor 867, lindi në Romë në 20 vjetët e para të shekullit
IX. Është e sigurtë se u shugurua subdiakon nga Papa Sergji II, i cili papnoi nga
viti 844 deri në vitin 847. Ishte njeri me kulturë të gjithanshme, me personalitet
të jashtëzakonshëm, me fe të gjallë. Prandaj u mirëprit si nga autoritetet shekullare,
ashtu edhe nga Kisha e nga populli romak. Gjatë papnisë së tij iu desh të ndeshej
si me mbretërit, ashtu edhe me metropolitët e autoritetet politike e kishtare të Kostandinopojës,
për afirmimin e parisë papnore dhe për pranimin e epërsisë së Kishës në çështjet fetare,
posaçërisht në zgjedhjen e ipeshkvijve. Mbeten në histori marrëdhëniet e tij me
Perandorinë karolinge. Kur mbreti Lotari II deshi të ndahej nga Teutberga, së cilës
nuk i kishte falur Zoti fëmijë e të martohej me të dashurën, Valdradën, me të cilën
kishte tre fëmijë, Papa Nikolla nuk pranoi t’ia zgjidhte martesën e, aq më pak, ta
kurorëzonte rishtas. Kur mbreti mblodhi një koncil, i cili pranoi t’ia anullonte
martesën, Nikolla I e shpërndau koncilin; i çkishëroi pjesëmarrësit dhe i deklaroi
të pavlefshme vendimet e tij. Me gjithë presionet e karolingëve të cilët, për ta frikësuar,
rrethuan Romën, Nikolla I nuk u tund nga vendimi i tij. Ishte njeri i drejtë e i vendosur,
që i druhej vetëm Zotit. Madje ishte i mendimit se njerëzit e Kishës nuk duhet të
merrnin pjesë në qeverisjen e punëve të kësaj bote. Në vitin 867, një sinod i mbledhur
në Kostandinopojë, arriti ta çkishëronte Papën Nikolla I, i cili vdiq më 13 nëntor
867 e u varros në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, para portave të saj. Kisha
katolike e lartoi në nderimet e elterit, duke i dhënë edhe titullin ‘i Madh’, prandaj
tani njihet si Shën Nikolla i Madh.