Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit ‘C’
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të dielës së 33-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit
të liturgjisë kishtare. Dëgjues të nderuar tashmë gjendemi afër mbarimit të vitit
liturgjik, e kështu edhe leximet biblike propozojnë tekste që na ftojnë të reflektojmë
mbi udhën e gjatë që kemi bërë e pikësynimit drejt të cilit jemi prirur e orientuar.
Tekstet biblike që na propozon liturgjia e kësaj së diele, studiuesit e teksteve biblike,
pra ekzegjetët i definojnë si tekste “eskatologjike”, fjalë kjo me prejardhje greke
që do të thotë “ajo që ka të bëjë me realitetet e fundit” të njeriut e të botës.
Përfundimi i Vitit liturgjik, në të vërtetë, është si mbarim i një bote që besimtari
e ka jetuar me pjesëmarrjen në Eukaristi, në Meshë të shenjtë, në dëgjimin e Fjalës
së Zotit, në mbledhjen me vëllezër e motra. E tani ka mbërrij momenti për të bërë
një bilanc mbi këtë udhë të gjatë shpirtërore të të dielave. Jezusi lajmëron fitoren
e së mirës mbi të keqën. Zoti do të vijë për të gjykuar historinë e botës e për të
shndërruar çdo gjë. Kështu, DITA E ZOTIT, vjen e bëhet momenti në të cilin gjithçka
merr kuptim e shndërrim: në atë ditë çdo njeri, çdo gjë do të dalë në dritën e Zotit.
Kështu leximet biblike kësaj së diele, pra, na propozojnë për reflektim gjyqin e Zotit
të cilin Malakia profet në leximin e parë të kësaj së diele e quan “ditë e Zotit”,
duke e përshkruan si zjarr kozmik, si “furrë të ndezur flakë”. Gjyqi i Zotit është
agim i ditës së re që ngjyros e ndriçon çdo gjë me dritën e vet, është takim përfundim
e vendimtar i njeriut me Krijuesin e vet, me Zotin, takim ky që i jep domethënie,
shije e bukuri tërë jetës njerëzore. Pra, leximet biblike pohojnë se jo vetëm njeriu
por edhe bota, si vend i historisë njerëzore një ditë do të dëgjohet nga Zoti. Si
është e kur do të ndodhë, këtë ne nuk e dimë; po me siguri do të vijë dita e fundit
e gjyqit të Zotit për çdo njeri sepse kështu na thotë vet fjala e Zotit. E Zoti nuk
gënjehet e nuk gënjen. Ti kërkojmë Hyjit të Gjithëpushtetshëm të dimë ta shenjtërojmë
jetën dhe kohën që na ka besuar me dashuri, e të jetojmë një jetë të qetë e të lumtur
në harmoni e në dashuri vëllazërore. Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Mal 3, 19-20
Dita e Zotit
nuk është larg; ajo do të na bëjë të zbulojmë vetveten dhe do të shfaqë atë që ne
jemi me të vërtetë. Nëse dikush është i varfër do të pasurohet, nëse dikush vuan
do të gëzohet, nëse dikush është i vogël do të bëhet i madh. Atë ditë do të gjykojë
njerëzit dhe do të bëjë të triumfojë drejtësia mbi të këqijtë dhe mëshira mbi të drejtët.
Lexim
prej Librit të Malakisë profet
Kështu thotë Zoti: “Ja, po vjen dita e ndezur
flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë.
Do t’i djegë dita që po vjen – thotë Zoti i Ushtrive – e s’do t’u lërë as rrënjë as
gem! Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me
rreze shëndet sjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullotë.” Fjala
e Zotit.
Psalmi 98
Eja, o Zot, për ta gjykuar botën -----
----- ----- Këndoni Zotit një këngë të re, sepse bëri vepra të mrekullueshme! Ngadhënjeu
me fuqi të së djathtës së vet, me fuqi të krahut të vet të shenjtë. -----
----- ----- Le të buçasë deti me ç’ka në të, rruzulli me banuesit e tij; lumenjtë
le të duartrokasin, e malet le të gërthasin me hare. ----- ----- ----- Le
të gërthasin me hare para Zotit, që po vjen për të gjykuar dheun. Ai do ta gjykojë
botën me drejtësi, e popujt me maturi. ----- ----- -----
Leximi i
dytë 2 Sel 3, 7-12
Nuk ka vend për parazitët të cilët jetojnë në kurriz të
të tjerëve dhe mbjellin kudo grindje. Të punosh do të thotë të fitosh lirinë tënde,
të bësh botën të banuar dhe jetën të mundur, të kesh diçka për të ofruar dhe për të
bashkëndarë. Të presësh botën tjetër nuk duhet të jetë një justifikim për të
harruar detyrat dhe përgjegjësitë e jetës së përditshme.
Lexim prej Letrës
së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, ju vetë mirë
e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk
jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund
e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë. Jo sikur të mos kishim
pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull, që të na përngjani.
Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as
mos të hajë!” Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë
asgjë dhe e humbin kot kohën. Të tillëve u urdhërojmë dhe u qesim be Zotin Jezu Krisht,
le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vet! Fjala e Zotit.
ALELUJA,
aleluja. Rrini zgjuar, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj. Aleluja.
Ì
Ungjilli Lk 21, 5-19
Jezusi përdor shpesh këtë shprehje “duhet të ndodhin
këto gjëra” për të shpallur si mundimet e tij ashtu edhe përndjekjet e të krishterëve
të parë. Ai e përdor edhe për të profetizuar rënien e Jerusalemit dhe të tempullit
të tij të mrekullueshëm. Jezusi nuk u premton besimtarëve të vet fitoren, përkundrazi
ata do të jenë me të vërtetë dishepujt e tij nëse do të përballen me fatkeqësitë e
historisë duke iu besuar diturisë dhe forcës së Ungjillit.
Leximi i Ungjillit
shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, kur disa po flisnin për tempullin sesi
është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: “Do të vijë
dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni, nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u
rrënuar.” E pyetën: “Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto
po fillojnë të ngjajnë?” “Ruajuni – u përgjigj – të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë
do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni
pas tyre! E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni!
Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”
Atëherë u tha: “Do të ngritët një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër
një mbretërie tjetër, do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja,
do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli. Mirëpo, para
se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë
në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak
të emrit tim. Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi. Mbani mend: s’keni nevojë
që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe
urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët
tuaj. Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa
prej jush do t’i vrasin. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse,
as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën
tuaj!” Fjala e Zotit. Më shumë mbi liturgjinë hyjnore të kësaj
së diele mund të dëgjoni këtu.......