2010-11-13 14:36:53

Ditë reflektimi për Konçistorin më 19 nëntor, flet atë Lombardi


Të reflektohet mbi argumentet më delikate, që i interesojnë Kishës bashkëkohore dhe shërbimit të Papës, në një klimë lutjeje e bashkimi. Ky është qëllimi, për të cilin Benedikti XVI e ka ftuar Kolegjin kardinalor të ndajë me të një ditë reflektimi e lutjeje më 19 nëntor, një ditë para zhvillimit të Koncistorit të zakonshëm publik. Pikërisht për sqarime mbi këtë ditë, ia drejtuam mikrofonin zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:..........RealAudioMP3
Së pari, dua të saktësoj se është një ftesë, një vendim i Papës, si kreu i Kolegjit kardinalor, për t’u takuar në një mbledhje reflektimi e lutjeje mbi temat e aktualitetit, me interes të përbashkët. Papa dëshiron t’i bëjë gjërat në kolegjialitet, e kjo shprehet përmes konsultimit të Kolegjit kardinalor, përmes Sinodit të Ipeshkvijve e në forma të tjera. Kjo ditë do të jetë e ngjashme me ditë të tjera në të kaluarën, si për shembull në Koncistorin e vitit 2007, por edhe në raste të ngjashme me Gjon Palin II, i cili i ftonte kardinajtë për reflektime të tilla. Papa merr pjesë, dëgjon me vëmendje të madhe si fjalimet e parashikuara, ashtu edhe pyetjet apo shpjegimet e kardinajve të pranishëm.
Konkretisht, cilat do të jenë temat, që do të trajtohen gjatë kësaj dite?
Temat janë përmendur në ftesë. Ka një temë kryesore, që parashikon relacionin e kardinalit sekretar të Shtetit, Tarçizio Bertone mbi gjendjen e lirisë fetare në botë dhe mbi sfidat e reja. Kjo do të kërkojë pa dyshim edhe kohën më të madhe, pasi do të shoqërohet me diskutime e reflektime. Pastaj, ka katër tema të tjera, që janë të rëndësishme, por të cilave do t’u kushtohet më pak kohë, pasi gjithçka duhet të përfundojë brenda një dite. Është ajo mbi liturgjinë në Kishën e sotme, për të cilën do të flasë kardinali Kanjizares, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor; tema “10 vjet pas Dominus Iesus”, që është një dokument shumë i rëndësishëm i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, për të cilin do të flasë kryeipeshkvi Anxhelo Amato, i cili ishte atëherë sekretar i Kongregatës. Pastaj, kemi dy komunikime të kardinalit Levada: ai mbi përgjigjen e Kishës në rastin e abuzimeve seksuale dhe ai mbi Kushtetutën “Anglicanorum coetibus”, që janë argumente aktuale në Kishën e sotme, prandaj flet për to pikërisht prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Nuk do të kemi dokumente përfundimtare mbi këto tema, por thjesht një komunikatë informative nga ana e Sallës së Shtypit.
Duke kaluar një ditë sëbashku me Papën, kardinajtë do të hanë edhe drekë me të, apo jo?
Po, kjo është një risi. Në ftesë nuk shkruhet, por mund ta konfirmoj. Me rastin e konçistoreve të ndryshme, kemi pasur gjithnjë edhe këtë çast të drekës me Papën. Kësaj radhe do të bëhet të premten, në vend që të bëhet të shtunën, në ditën e Konçistorit. Do të marrin pjesë 150 kardinaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.