2010-11-12 19:04:51

BE: heqja e vizave, Malmstrom Shqipërisë, mos na zhgënjeni.


Pesë ditë pas vendimit unanim të Bashkimit Evropian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Shqipërisë në zonën Shengen, komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë në BE, Cecilia Malmström, vizitoi sot zyrtarisht Tiranën.
"Regjimi pa viza është një mundësi për të udhëtuar, por jo për të punuar" u shpreh Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë, Cecilia Malmstrom sot në Tiranë. Ajo tha se "liberalizimi i vizave është një mundësi fantastike për shqiptarët, të cilët do lëvizin të lirë pa viza në Bashkimin Evropian dhe në zonën 'Shengen', e shpresojmë të mos zhgënjehemi".
Gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, Malmstrom shprehu kënaqësinë që është sot në Tiranë për të folur me autoritetet shqiptare mbi vendimin e marrë të hënën, për t'u dhënë qytetarëve shqiptarë lirinë e lëvizjes pa viza në Bashkimin Evropian dhe në zonën Shengen.
"Kjo është sigurisht një mundësi fantastike për shqiptarët për të pasur mundësinë të vizitojnë miqtë, familjarët dhe të kenë mundësinë të njohin më mirë Bashkimin Evropian. Por kjo është një mundësi edhe që njerëzit e Bashkimit Evropian t'i njohin shqiptarët më mirë. Në këtë mënyrë ne e bëjmë më të lehtë për njerëzit e zakonshëm, komunitetin e biznesit dhe të tjerët për t'u njohur me njëri- tjetrin", tha Malmstrom.
Ajo vlerësoi angazhimin personal të Kryeministrit Berisha në informimin e shqiptarëve që mund të udhëtojnë me pasaporta biometrike për në Bashkimin Evropian për tre muaj, si dhe me kufizimet e këtij vendimi.
"Liberalizimi i vizave nuk u jep të drejtën qytetarëve shqiptarë për leje pune dhe për të qëndruar më gjatë në vendet Shengen.
Kryeministri është angazhuar personalisht, së bashku me anëtarë të tjerë të qeverisë për të informuar rreth mundësive si dhe kufizimeve, në mënyrë që të shmang abuzimin e këtyre mundësive", tha Malmstrom.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Sekretari i Shtetit të Mbretërisë së Belgjikës, Melchior Whatelet, në cilësinë e përfaqësuesit të Vendit që mban presidencën e radhës së BE.
Ai konfirmoi se "27 vendet anëtare të BE kanë dhënë një sinjal të rëndësishëm duke votuar unanimisht liberalizimin e vizave për Shqipërinë".
"Ne e kemi kuptuar sa e rëndësishme ishte kjo çështje për Shqipërinë dhe për Bashkimin Evropian dhe dua të falënderoj Kryeministrin Berisha dhe ministrin Basha për angazhimin që kanë dhënë për të respektuar të gjitha kushtet e lidhura me liberalizimin e vizave. Shqipëria ka marrë një angazhim të fortë ndaj 27 vendeve anëtare për të ndaluar çdo keqpërdorim ose abuzim të liberalizimit të vizave", tha Sekretari i Shtetit të Belgjikës.
Ai shprehu bindjen se "Shqipëria do të përmbushë angazhimet e saj në mënyrë korrekte, ashtu siç ka përmbushur angazhimet për të arritur këtë liberalizim vizash".( nga ATSH-ja)

MALMSTRÖM STUDENTËVE: INFORMOHUNI PËR KUFIZIMET E QËNDRIMIT
"Të gjithë shqiptarët, por veçanërisht të rinjtë, do të kenë mundësi të udhëtojë pa viza nga data 15 dhjetor, por duhet të informohen saktë për përcaktimet që rrjedhin nga heqja e regjimit të vizave", theksoi sot pasdite Komisionerja për Çështjet e Brendshme në Bashkimin Eruropian, Cecilia Malmström, në një takim me studentët e Universitetit Europian të Tiranës.
Duke e konsideruar hejqjen e vizave për Shqipërinë si një vendim mjaft të rëndësishëm, Malmström u tha studentëve se, "tashmë keni një mundësi mjaft të mirë, e cila mundëson lëvizjen e lirë në të gjitha vendet e BE-së".
Por, ajo vuri në dukje se liberalizmi i vizave ka disa kërkesa, me të cilat nuk duhet të abuzohet.
Malmström i kërkoi studentëve dhe të rinjve shqiptarë të mirëinformohen për limitet e qëndrimit në vendet e BE-së.
Ajo theksoi se, heqja e regjimit të vizave u garanton lirinë e lëvizjes qytetarëve të Shqipërisë si dhe ofron mundësi të pashfrytëzuara deri më tani për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqiperise dhe BE-së.
"Keni mundesi të vizitoni vende të rëndësishme dhe jo të qendroni dhe të punoni, por një mundësi për të udhëtuar. Shpresoj ta perdorni në mënyrë korrekte", tha Malmström.
Edhe ministri i Brendshëm belg, Mechier Wathelet, i pranishëm në këtë takim, vuri në dukje përgjegjësinë që duhet të kenë qytetarët shqiptarë, pasi qëndrimi është i kufizuar, për të takuar familjarët dhe jo për të punuar.
Ai tha se, "ne ju dhamë mundësinë për t'u afruar me BE, ndërkohë që Shqipëria duhet të na tregoje se liberalizimi është një histori e sukseshme".
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmström, vizitoi sot për here të pare Shqipërinë, që nga dita e dhënies së vendimit të Këshillit për heqjen e rregjimit të vizave afatshkurtra për qytetarët e shqiptarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.