2010-11-11 16:52:12

U publikua Këshillimi apostolik pas sinodal “Verbum Domini” i Benediktit XVI


Të rivendoset Fjala e Zotit në qendër të jetës personale e të asaj kishtare, duke e shpallur Atë me urgjencë e bukuri, si dëshmitarë të bindur e të besueshëm të Krishtit, për shëlbimin e njerëzimit: ky është, në thelb, mesazhi i Benediktit XVI në Këshillimin apostolik postsinodal “Verbum Domini”, që përmbledh reflektimet e propozimet e Sinodit të Ipeshkvijve, i cili u zhvillua në Vatikan në tetor 2008. Kujtojmë se tema e Sinodit ishte pikërisht “Fjala e Zotit në jetën dhe në misionin e Kishës”.
Dokumenti i gjatë, gati 200 faqe, u paraqit sot në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë dhe përbën një thirrje të apasionuar të Papës për barinjtë e kishës, për personat e jetës së shuguruar dhe për laikët, që të familjarizohen gjithnjë e më shumë me Shkrimin e Shenjtë, i cili – thekson Papa – është themeli i çdo përshpirtërie të vërtetë e të gjallë në fenë e krishterë.
“Në një botë, që shpesh e ndjen Zotin si të sipërfaqshëm e si të huaj – pohon Benedikti XVI – nuk ekziston përparësi më e madhe se kjo: ta afrojmë njeriun e sotëm me Zotin, me atë Zot që flet dhe na komunikon dashurinë e vet, që ta kemi jetën me plotësi”. Në kundërshtim me ata, që mendojnë se pranimi i Zotit është kërcënim për autonominë e secilit, “vetëm Zoti – nënvizon Papa – i përgjigjet etjes së zemrës së çdo njeriu”, prandaj i këshillon barinjtë e Kishës ta paraqesin Fjalën e Zotit, duke shfrytëzuar aftësinë e saj për të dialoguar me problemet e përditshme të personave. Mëkati i ka rrënjët në mosdëgjimin e Fjalës së Zotit.
Më pas, Papa kujton shtysën e Koncilit II të Vatikanit për rizbulimin e Fjalës së Zotit dhe bën dallimin ndërmjet saj e vegimeve private, të cilat ndihmojnë në kundrimin e Krishtit, por nuk janë të domosdoshme. Benedikti XVI analizon gjendjen aktuale në fushën e studimeve biblike, duke uruar të realizohet uniteti ndërmjet dy niveleve: atij të ekzegjezës historiko-kritike dhe atij teologjik. Ati i Shenjtë vëren se nganjëherë, ekzegjeza shtyhet shumë në aspektet historike të ngjarjeve biblike, duke mohuar ngjarjet me natyrë hyjnore, ndërsa teologjia shkon nganjëherë drejt spiritualizimit të Shkrimit Shenjt, pa marrë parasysh historinë. Premisë për këtë unitet, është pa dyshim, harmonizimi i fesë me arsyen, që feja të mos kalojë në fideizëm, pra në interpretimin fondamentalist të Biblës, por edhe arsyeja të mos refuzojë “a priori” gjithka kapërcen kufirin e saj.
E meqë rrënjët e krishterimit janë në Besëlidhjen e Vjetër, Papa nënvizon rëndësinë e marrëdhënieve të mira me hebrenjtë. Gjithashtu, studimet biblike, sipas Benediktit XVI, duhet të jenë në qendër edhe të dialogut ekumenik.
Dokumenti shqyrton më pas marrëdhëniet ndërmjet Fjalës së Zotit dhe liturgjisë. E këtu Papa u rikthehet këshillave për kujdes më të madh në shpalljen e Fjalës së Hyjit. Kush lexon në meshë duhet të jetë i përgatitur, nënvizon Ati i Shenjtë, i cili bën thirrje edhe për përmirësimin e cilësisë së homelive. Ato nuk duhet të jenë të përgjithshme, ose abstrakte, nuk duhet të tregojnë sa i zoti është predikatori, por të shkojnë në zemrën e mesazhit ungjillor. Është i nevojshëm, thekson Papa Racinger, një Udhëzues për homelitë. Gjithashtu, Benedikti XVI nënvizon rëndësinë e heshtjes gjatë kremtimeve, të akustikës, të mos zëvendësimit të teksteve, të favorizimit të këngëve me frymëzim biblik, si ato gregoriane dhe, rekomandon kujdes të veçantë për ata, që s’shohin e që s’dëgjojnë.
Pastaj, Papa ndalet tek formimi i të krishterëve për t’iu përgjigjur fenomenit të përhapjes së sekteve. Sipas Atit të Shenjtë, duhen krijuar grupe të vogla, që të përhapin interpretimin e Biblës, sipas fesë së Kishës. Sinodi, kujton Benedikti XVI, uron që çdo shtëpi të ketë Biblën e vet, për ta përdorur e lexuar gjatë lutjes. Vë në dukje rëndësinë e “gjenialitetit femëror” në studimet biblike, si edhe rolin e pazëvendësueshëm të grave në familje, në edukimin e fëmijëve, në katekizëm e në përçimin e vlerave të krishtera.
Temë tjetër e Këshillimit Apostolik postsinodal “Verbum Domini” është edhe misioni. Papa thekson se çdo i pagëzuar e ka për detyrë ta shpallë Fjalën e Zotit. Njihet këtu kontributi i lëvizjeve kishtare për ungjillëzimin e botës. Benedikti XVI e fton Kishën dhe besimtarët të mos ndalen tek mbajtja e ruajtja e nivelit të arritur, edhe aty ku Fjala e Zotit është shpallur para shumë shekujsh. Duhet të jemi në gjendje të mbrojmë të drejtën dhe lirinë e njerëzve për të dëgjuar Fjalën e Zotit, duke kërkuar mjetet më të përshtatshme për këtë, deri në persekutim. Papa Racinger u drejtohet me mallëngjim të persekutuarve për çështjen e Krishtit, përmend bashkësitë e krishtera në Azi e në Afrikë, që rrezikojnë jetën ose mënjanimin shoqëror për shkak të fesë dhe e ngre zërin që kombet të garantojnë lirinë e ndërgjegjes e të fesë.
Benedikti XVI shpjegon edhe arsyet e këtij persekutimi. Fjala e Zotit, shkruan ai, i shtyn njerëzit të impenjohen për një botë më të drejtë, nxit solidaritetin dhe barazinë, është burim pajtimi e paqeje. Nga ana tjetër, vazhdon, feja nuk mund të përdoret për të justifikuar intolerancën dhe luftrat. Nuk mund të ushtrohet dhunë në emër të Zotit!
Papa reflekton edhe mbi shpalljen e Fjalës së Zotit për të rinjtë, emigrantët, të vuajturit e të varfërit. Për të rinjtë duhet guxim, shpjegon Ati i Shenjtë; emigrantët ofrojnë mundësi për përhapjen e Fjalës së Zotit, të cilën kanë të drejtë ta dëgjojnë si propozim e jo si imponim; të vuajturve u duhet qëndruar afër e të varfërit duhen dëgjuar, ndihmuar e udhëhequr që të marrin në dorë jetën e tyre.
Në dokument bëhet thirrje për rinovimin e takimit ndërmjet Biblës dhe kulturave. Fjala e Zotit nuk e shkatërron kulturën e vërtetë, nënvizon Benedikti XVI, por nxit kërkimin e shprehjeve më të përshtatshme e më domethënëse të saj. Bibla është një kod i jashtëzakonshëm për të gjitha kulturat. Papa uron që Bibla të njihet edhe në shkolla e universitete; vlerëson artistët, që janë frymëzuar nga Shkrimi i Shenjtë; nxit përhapjen e tij edhe në botën e mediave, sidomos në internet, duke pasur parasysh gjithsesi, se bota virtuale nuk mund ta zëvendësojë atë reale.
Duke folur për inkulturimin, Ati i Shenjtë thekson se ai nuk duhet ngatërruar me proceset sipërfaqësore të përshtatjes ose me përhapjen sinkretiste, që e dobëson origjinalitetin e Ungjillit për ta bërë atë të pranueshëm më lehtësisht. Fjala Hyjnore shndërron kufijtë e çdo kulture, duke krijuar bashkim ndërmjet popujve, takim, dialog e bashkëpunim ndërmjet njerëzve vullnetmirë të çdo feje. Kisha, jep një shembull Papa, i vlerëson myslimanët e Sinodi uron një dialog me ta, të bazuar në thellimin e vlerave si respektimi i jetës, të drejtat e patjetërsueshme të burrit e të gruas dhe dinjiteti i tyre i barabartë, kontributi i fesë për të mirën e përbashkët etj.. Këtu theksohet edhe një herë nevoja e lirisë në shpalljen e fesë në sferën private dhe në atë publike, si edhe nevoja e lirisë së ndërgjegjes.
Epoka jonë, përfundon Benedikti XVI, duhet të jetë gjithnjë e më shumë, kohë e ridëgjimit të Fjalës së Zotit dhe e ungjillëzimit të ri, pasi akoma Jezusi i Ringjallur na thotë “Shkoni në të gjithë botën e predikojani Ungjillin çdo krijese”.







All the contents on this site are copyrighted ©.