2010-11-11 08:51:34

Mesazh i Benediktit XVI drejtuar Presidentit të Koresë Lee Myung-bak, me rastin e G20 të Seulit.


Takimi i presidentëve dhe i kryeministrave të 22 ekonomive më të mëdha botërore, së bashku me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, me Presidencën e BE-së, me disa organizata rajonale si dhe me drejtorë të agjensive të ndryshme të specializuara, në Seul, nuk është vetëm ngjarje me vlerë globale, por edhe shenjë, që flet për rëndësinë dhe përgjegjësinë, që ka fituar Azia në skenën ndërkombëtare, në fillim të shekullit XXI. Presidenca koreane e Takimit të rangut të lartë, është shenjë e njohjes së nivelit domethënës ekonomik, arritur nga ky vend, i pari ndërmjet atyre që nuk i përkasin G.8 e që mikpret G.20 dhe udhëheq vendimet e tij në botë pas krizës. Është fjala për të përvijuar rrugën, që duhet ndjekur për zgjidhjen e çështjeve tejet të ndërlikuara, nga të cilat varet ardhmëria e breznive të reja, të cilat kërkojnë bashkëpunimin e gjithë bashkësisë ndërkombëtare, për njohjen e përgjithshme dhe të njëzëshme nga mbarë popujt, të vlerës parësore e qëndrore të dinjitetit njerëzor, objektiv përfundimtar i vetë rrugëve, që do të zgjidhen.
Kisha Katolike, sipas specifikës së saj, e ndjen veten pranë kësaj ngjarjeje dhe merr pjesë në shqetësimet e liderëve, të pranishëm në Takimin e rangut të lartë të Seulit.
Inkurajoj edhe të përballohen problemet e shumta e të rënda, që presin zgjidhjen nga ju e që, në një farë mënyre, sot shqetësojnë çdo njeri, në mënyrë koherente me arsyet më të thella të krizës ekonomike-financiare, duke pasur mirë parasysh pasojat e masave që u morën për të zgjidhur vetë krizën dhe për të gjetur rrugëzgjidhje afatgjata, të qëndrueshme e të drejta. Duke bërë këtë, uroj të fitohet vetëdija se mjetet e përdorura, si të tilla, do të mund të funksionojnë vetëm në se, në analizën e fundit, do të jenë në shërbim të realizimit të të njëjtit qëllim: progresit të vërtetë e të gjithanshëm të njeriut.
Bota i ka drejtuar sytë nga ju dhe pret gjetjen e mjeteve të përshtatshme për të dalë nga kriza, me marrëveshje të përbashkëta, që nuk privilegjojnë disa vende, në dëm të të tjerave. Historia ju kujton gjithashtu se, ndonëse përkimi i identiteteve shoqëro-kulturore, ekonomike e politike ekzistuese është i vështirë, mjetet e lartpërmendura, për të qenë të suksesshme, duhen përdorur në mënyrë sinergjike e, mbi të gjitha, duhet të respektojnë natyrën e njeriut. Për vetë ardhmërinë e njerëzimit është vendimtare t’i tregohet botës dhe historisë se sot, edhe për shkak të kësaj krize, njeriu ka fituar pjekurinë aq, sa të pranojë se qytetërimet e kulturat, ashtu si dhe sistemet ekonomike, shoqërore e politike, mund e duhet të krijojnë vizionin e përbashkët të dinjitetit njerëzor, që respekton ligjet dhe kërkesat e vetë Zotit Krijues. G.20 do t’i përgjigjet asaj, që pritet nga takimi e do t’i dorëzojë së ardhmes një sukses të vërtetë, në se, duke u nisur nga problemet e ndryshme, që nganjëherë i kundërvihen njëri-tjerit, të cilat trondisin Popujt e tokës, do të dijë të përvijojë rrugën të së mirës së përbashkët universale e do të dëshmojë vullnetin të bashkëpunojë, për ta realizuar.
Me këto ndjenja lyp bekimin e Zotit mbi të gjithë pjesëmarrësit e Takimit të rangut të lartë të Seulit e shfrytëzoj rastin për të përsëritur, Zoti President, ndjenjat e nderimit e të respektit, si dhe përshëndetjet më të përzemërta. Benedikti XVI







All the contents on this site are copyrighted ©.