2010-11-11 16:52:28

Benedikti XVI: Kongreset eukaristike ndërkombëtare të mbështesin punën e ungjillëzimit të ri.


(11.11.2010 RV)“Kongreset e reja Eukaristike, në kontekstin e tashëm, duhet të japin kontribut për ungjillëzimin e ri”. Këtë pohoi Papa Benedikti XVI, sot paradite, gjatë takimit me pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike, të cilët i priti në audiencë në Vatikan. Gjithashtu Papa bëri thirrje që të vlerësohen edhe shprehjet e ndryshme të devocionit popullor kushtuar kultit të Eukaristisë:

“Një festë e fesë përreth Krishtit”, “sakrificës më të lartë të njerëzimit”, një festë që mund të jetë kombëtare ose botërore dhe që në këtë rast quhet “Statio Orbis” – grumbullim i botës në një pikë të vetme. Ky është, sipas Benedikti XVI, thelbi i Kongresit Eukaristik: Të mbledhurit e mbarë Kishës, e cila “shtrëngohet përreth Zotit të vet”. Janë këto mendime që Papa i rrahu edhe me specialistë të kësaj teme, pikërisht, pra, me pjesëmarrësit në Asamblenë plenare të Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike ndërkombëtare. E ndërsa besimtarët e shumtë, të cilët e kanë tepër për zemër kultin e Eukaristisë, po punojnë për kongresin e ardhshëm, në program për Dublin për në 2012, Benedikti XVI shprehu disa konsiderata mbi rëndësinë shpirtërore të këtyre takimeve, të cilat, siç tha ai vetë, “tashmë kanë një histori të gjatë në Kishë”:

“Nëpërmjet bashkimit me Korpin e Krishtit, Kisha bëhet gjithnjë e më tepër ajo çka është: mister i një njësije “vertikale” dhe “horizontale” për krejt racën njerëzore. Mikrobeve të shpërbërjes, të cilët janë shumë të rrënjosur tek njerëzimi për shkak të mëkatit, siç na tregon përvoja e përditshme, iu kundërvihet forca që lind bashkimin e Korpit të Krishtit. Eukaristia, që formon vazhdimisht Kishën, krijon edhe bashkimin ndërmjet njerëzve.”

Më pas Papa Racinger kujtoi edhe disa “rrethana fatlume” të cilat i bënë akoma më domethënëse punimet e plenaries, në veçanti 50-vjetorin e Kongresit Eukaristik në Mynih, në Bavari, ku pat marrë pjesë edhe Jozef Racinger, – asokohe teolog i ri , shpjegoi Benedikti XVI – e që “shënoi një kthesë në kuptimin e këtyre ngjarjeve domethënëse për Kishën duke përpunuar idenë e “statio orbis” – pra të besimtarëve të mbledhur në një vend, ide kjo që u trajtua edhe në tekstet e ndryshme të magjisterit të Papëve. Përveç kësaj, takimi i ardhshëm i Dublinit do të marrë edhe karakter jubilar, sepse bie pikërisht në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Në vijim, Ati i Shenjtë vuri në dukje qëllimin kryesor të këtyre takimeve:

“Detyrë e Kongreseve Eukaristike, mbi të gjitha në kontekstin e tashëm, është dhënia e një kontributi të posaçëm për ungjillëzimin e ri, duke promovuar ungjillëzimin mistagogjik, që kryhet në shkollën e Kishës në lutje, duke u nisur nga liturgjia dhe nëpërmjet liturgjisë. Por, çdo kongres sjell me vete edhe një puhizë ungjillëzuese në kuptimin më të ngushtë misionar, aq sa binomi eukaristi-mision ka hyrë dhe bën pjesë në udhëzimet bazë propozuar nga Selia e Shenjtë.”

Pastaj, Benedikti XVI iu dha specialistëve edhe një udhëzim liturgjiko-baritor. Meqë “kremtimi eukaristik është qendra dhe kulmi i të gjitha manifestimeve të fesë dhe formave të ndryshme të mëshirës, vuri në dukje Papa, atëherë:

“...është e rëndësishme që çdo Kongres Eukaristik të dijë të përfshijë dhe të integrojë, sipas shpirtit të reformës konciliare, të gjitha shprehjet e kultit eukaristik “extra missam” – jashtë Meshe, të cilat e kanë burimin tek devocioni popullor, ashtu sikundër edhe shoqatat e besimtarëve frymëzohen nga Eukaristia në mënyra të ndryshme (...) Edhe në këtë kuptim, Kongreset Eukaristike janë një ndihmë për përtëritjen e vazhdueshme në jetën eukaristike të Kishës.”







All the contents on this site are copyrighted ©.