2010-11-10 16:41:43

Salla vatikanase e Shtypit konfirmon: Papa iu përgjigj letrës së Presidentit iranian.


(10.11.2010 RV)Kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, gjatë një takimi me presidentin iranian, Mahmud Ahmadinexhad, në Teheran, i dorëzoi një mesazh të Papës Benedikti XVI. Kujtojmë se një delegacion i lartë i Vatikanit ndodhet në vendin aziatik, ku merr pjesë në ciklin e takimeve teologjike e kulturore, në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe Iran- Seli e Shenjtë. Ky është takimi i shtatë, me temë “Perspektivat e bashkëpunimit të të krishterëve me myslimanët”.

Salla e Shtypit e Vatikanit, duke konfirmuar lajmin, shpjegon se mesazhi është përgjigjja që i jep Papa një letre, dërguar nga Presidenti iranian, në fillim të tetorit të kaluar.
Në dokument, Ahmadinexhad i kërkonte Papës një impenjim të përbashkët për mbrojtjen e lirisë fetare.
Lajmi konfirmohet edhe nga Agjensia zyrtare e shtypit e Republikës Islamike të Iranit.
Agjensia pohon se Ahmadinexhadi e vlerësoi shumë mesazhin e Papës dhe theksoi: “Ka ardhur çasti që besimtarët e të gjitha feve të rebelohen kundra materializmit, që vijon të sundojë botën e ta mundin të keqen, për ta zëvendësuar me mesazhin e fitores së plotë të së mirës mbi tokë”.
Sipas agjensisë IRNA (Agjensia e Re Islamike) në çastin e dorëzimit të mesazhit të Papës, kardinali Toran pohoi se të krishterët e myslimanët duhet të jenë model për të gjitha popullsitë e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.