2010-11-10 17:42:47

Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë reforma të mëtejshme për anëtarësim


Komisioni Europian miratoi dje paketën për vitin 2010 për Zgjerimin, i cili përmban Opinionet për aplikimet për anëtarësim të Malit të Zi dhe Shqipërisë si dhe shtatë Raporte të Progresit mbi vendet e tjera kandidate dhe potencialisht kandidate.
Zyra e shtypit e KE-së bëri të ditur se për Shqipërinë, Komisioni arriti në përfundimin se ndërsa është bërë progres i mirë gjatë 12 muajve të fundit, reforma të mëtejshme nevojiten në një sërë fushash kyçe, siç përcaktohen edhe në Opinion, para se vendi të jetë i gatshëm të fillojë negociatat për anëtarësim.
Duke u ndalur në kriteret politike, Komisioni vlerëson se Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e kritereve politike të Kopenhagenit.
Në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike dhe shërbimin civil, KE thekson se "Shqipëria ka ndërtuar një kuadër kushtetues dhe legjislativ në përputhje me standardet evropiane".
Zgjedhjet e vitit 2009 përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare dhe ishin më të mira se zgjedhjet e viteve të tjera, megjithë evidentimin e disa mangësive.
Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka forcuar shtetin e së drejtës, duke kryer në veçanti reforma legjislative dhe institucionale në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa agjencitë e zbatimit të ligjit janë fuqizuar.
Kuadri ligjor dhe institucional i vendit për të drejtat e njeriut është ndërtuar në pjesën më të madhe dhe u korrespondon gjerësisht standardeve evropiane.
Por KE shprehet në Opinionin e tij se "do të duhen përpjekje të mëtejshme për të trajtuar mangësitë në fushën politike".
Efektshmëria dhe stabiliteti i institucioneve demokratike shqiptare, në veçanti Kuvendit, nuk është arritur mjaftueshëm. Dialogu politik është konfliktual dhe nuk i përmbahet frymës demokratike, kjo jo vetëm për arsye të ngërçit politik që prej zgjedhjeve të vitit 2009. Mangësitë e identifikuara gjatë zgjedhjeve të fundit nuk janë përkthyer ende në reformë zgjedhore, e cila nevojitet për zgjedhjet e ardhshme.
"Administrata publike vazhdon të jetë e dobët dhe e politizuar, ndërsa një strategji gjithëpërfshirëse dhe e bashkërenduar për reformë në gjyqësor është ende e pamiratuar", thuhet në paketën për vendin tonë, duke shtuar se "zbatimi i shtetit të së drejtës mbetet jo i plotë".
KE thekson se "duhet arritur një ecuri e qëndrueshme e luftës efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zbatimi i legjislacionit dhe instrumentet e politikave në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve është ende i pamjaftueshëm".
Më tej Komisioni vlerësoi se Shqipëria luan një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së.
Për sa i përket kritereve ekonomike, Komisioni deklaron se "Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt vendosjes së një ekonomie tregu funksionale. Por për të patur një ekonomi tregu funksionale, vendit i nevojitet të forcojë më tej qeverisjen, të përmirësojë performancën e tregut të punës, të eliminojë pasiguritë në fushën e të drejtës së pronës dhe të fuqizojë zbatimin e ligjit".
Me qëllim që në periudhën afatmesme të mund t'i bëjë ballë presionit konkurrues dhe forcave të tregut brenda BE-së, Shqipërisë i duhet të fuqizojë infrastrukturën fizike dhe kapitalin njerëzor, si edhe të vazhdojë reforma të mëtejshme strukturore.
Në fushën e zbatimit të reformave ekonomike ekziston tashmë një ecuri e mirë, si edhe ka konsensus të gjërë rreth çështjeve thelbësore të politikave ekonomike.
"Shqipëria ka arritur një nivel stabilititeti makroekonomik të mjaftueshëm për t'u mundësuar operatorëve ekonomikë të marrin vendime në një mjedis parashikueshmërie", theksohet në konkluzionet e Komisionit.
Pavarësisht krizës, politikat e duhura mikse makroekonomike gjatë viteve të fundit kanë gjeneruar nivele rritjeje në ekonomi që tejkalojnë shifrën 5%.
Në lidhje me legjislacionin e BE-së, Komisioni bën të ditur se "Shqipëria ka bërë përpjekje domethënëse për ta përafruar legjislacionin e saj me atë të BE-së,veçanërisht për standardizimin, konkurrencën dhe prokurimin".
Gjithashtu vlerësohet se "kuadri rregullator për biznesin është përmirësuar, duke arritur përafrim të mëtejshëm në fushat e doganave dhe tatimeve si dhe janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar (lidhur me kuadrin legjislativ, kapacitetet hetuese, burimet)".
Në përfundim të Opinionit për Shqipërinë, KE shprehet se vendi duhet të ecë përpara në fusha të tjera si mjedisi, pronësia intelektuale, transporti, bujqësia, siguria e ushqimit, politika sociale dhe ajo audio-vizuale si dhe duhet të tregojë rezultate konkrete në luftën kundër drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave.







All the contents on this site are copyrighted ©.