2010-11-09 19:03:09

Shqipëri: Aksident i rëndë autobusi në rrugën Ballsh-Tepelenë.


Në Shqipëri në një aksident të rëndë të linjës së autobusëve Tiranë Athinë të paktën 9 persona humbën jetën dhe rreth 41 të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve ende në gjendje të rëndë.
Shkak i aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmë në rrugën nacionale Fier-Tepelenë në fshatin Ziaj të komunës Fratar, kur autobusi i linjës Tiranë -Athinë, me targë INB 9900 ra në një distancë rreth 100 m, ku për pasojë, humbën jetën 9 persona dhe mbetën të plagosur 40 të tjerë, ishte humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit, bëri të ditur sot Policia e Shtetit.
Në një deklaratë për shtyp, Policia e Shtetit sqaroi përmes zëdhënëses Klejda Plangarica se "nga hetimet paraprake të grupit hetimor në vendngjarje, shkak rezultoi se ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, shtetasit Tomas Tsogas.
Nga kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit u vu re se sistemi i drejtimit të mjetit ka qenë në gjendje të rregullt teknike dhe funksionale, shpejtësia me të cilën lëvizte autobusi ishte brenda normave të lejuara dhe segmenti ku ka ndodhur aksidenti ka qenë i vijëzuar dhe me gjerësi rruge 6.4 m.
Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se, nga kontrolli mjeko-ligjor dhe testi elektronik i përdorimit të alkoolit ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka përdorur pije alkoolike, ndërsa ka një eksperiencë pune prej 15 vjetësh në këtë kompani udhëtimi.
Viktimat e aksidentit tragjik janë Fredi Guma, 45 vjeç, nga Frakull i Vogël, Lushnje, Manushaqe Bali, 33 vjeçe nga Lushnja, Refotaq Bashllari nga Tirana, Dhurata Halilaj, 45 vjeç nga Laçi, Marjola Guma, 13 vjeç nga Fieri, Nikollë Nina, 75 vjeç nga Durrësi, Dallëndyshe Shuli nga Lushnja Afërdita Basha 40 vjeç nga Laçi.
Ndërsa Eduard Prenci 29-vjeç nga Lushnja dhe Petro Vangjeli 61-vjeç nga Saranda janë të plagosur rëndë dhe janë dërguar për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore në spitalin e Janinës.
Gjithashtu në spitalin Ushtarak në Tiranë gjenden dy nga të plagosurit e aksidentit Sebie Boksiu, 30 vjeç dhe Luan Çela, 22 vjeç, ndërsa në spitalet e Gjirokastrës dhe Fierit gjenden të plagosurit e tjerë të aksidentit, të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
Në operacionin e shpëtimit të pasagjerëve të dëmtuar nga ky aksident, mbrëmë strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan së bashku me ato të Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër dhe Fier, Komisariateve të Policisë Fier, Tepelenë dhe Ballsh, rreth 100 forca të FNSH dhe forca të Repartit Special RENEA.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë u ngrit një grup pune, i cili koordinoi gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje, ku për menaxhimin dhe drejtimin e operacionit të shpëtimit ishin zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit

Një prej të plagosurve në këtë aksident, V.Sulkaj tregon për ATSH-në atë çka ndodhi dhe përjetoi mbrëmë.
"Mbaj mënd se gjatë gjithë rrugës, shoferi nuk ecte mirë. Pati disa raste të manovrimeve të gabuara më parë se të ndodhte kjo tragjedi. Njëherë desh doli prapë nga rruga dhe pati një devijim në frenim pa vajtur në Ballësh dhe një herë tjetër, sapo kaluam Ballshin. Në rastin e aksidentit shoferi pati një devijim të fortë dhe nga frenimi, autobusi bëri rrotullim dhe u përmbys. Gjatë kohës kur ndodhi aksidenti nuk binte shi, nuk kishte mjegull, por rruga ishte e lagur. Di që shoferi fliste shpesh në telefon, ndërsa në çastin kur ndodhi aksidenti nuk e di".
Një tjetër i aksidentuar, A.Goga tregon historinë e aksidentit.
"Jam emigrant në Greqi që prej 10 vjetësh. Pas disa ditë pushimesh në Shqipëri ditën e djeshme u nisa për t'u kthyer në Greqi me autobusin e linjës Tiranë -Athinë. Gjatë rrugës, të gjithë e pamë se shoferi nuk e drejtonte mirë autobusin, pasi bënte frenime të rënda dhe nuk ishte i sigurt në timon. Patëm tre raste të tilla pa arritur te momenti fatal, për të cilin nuk di ç'të them, se isha në gjumë. Jam zgjuar i llahtarisur nën tmerrin e rënkimeve, thirrjeve, të qarave, në një greminë rreth 100 m. thellësi".
Një tjetër i aksidentuar shprehet se "aksidenti mund të eliminohej. Shoferi duhej të ishte më i vëmendshëm, se terreni ishte rrëshqitës, rruga e keqe dhe e ngushtë, me kthesa. Ai fliste në telefon dhe nuk i vlerësoi vështirësitë e udhëtimit", thotë ai.
Përballë kësaj fatkeqësie të madhe, shumë qytetarët fierakë madje edhe lushnjarë e vlonjatë janë bashkuar me dhimbjen e të dëmtarëve dhe familjarëve të tyre duke dhuruar gjak pranë bankës së dhurimit të gjakut.
"Ka shumë sensibilizim nga qytetarët. U mblodhën shumë dhurues, por vetëm 6 prej tyre dhuruan gjak për arsye të disa procedurave që kemi si bankë gjaku, se shumica nuk i plotësonin kushtet. Megjithatë, gatishmëria e tyre mbeti tek dëshira e mirë, që ka vlera të mëdha në të tilla raste", thotë përgjegjësi i bankës së gjakut në Fier, Dashamir Banaj.
Ai vlerëson edhe gatishmërinë e qytetarëve të Lushnjes dhe Vlorës që kanë dhuruar gjak pranë bankave në qytetet e tyre për ta sjellë në spitalin e Fierit ku ndodhen të plagosurit e aksidentit tragjik të Fratarit.
"Ofruan ndihmën e tyre për këtë rast të vështirë, ofruan disa lloj mundësish që të përballonim situatën duke dhënë rezervat e tyre nëse ne do të kishim nevojë. Falë humanizmit dhe një pune të programuar, spitali i Fierit e ka situatën nën kontroll të plotë për rezervat e gjakut", shton Banaj.
Drejtore e spitalit në Fier, Donika Alujshani pohon se dhurimi vullnetar i gjakut nisi nga personeli mjeko-infermier. Ajo tregon se pak ditë më parë bluzat e bardha filluan fushatën sensibilizuese për dhurimin e gjakut, ndaj tragjedia rrugore e Fratarit nuk i gjeti ta papërgatitur.
"Gjithsesi, bëmë thirrje sensibilizuese dje sepse nuk dinim përmasat e tragjedisë, numrin e të plagosurve, nevojën për gjak, etj", thotë Alujshani, që shton se nuk pati raste të transfuzionit të gjaku tek të plagosurit.
Por gjithsesi, ajo vlerëson gatishmërinë dhe humanizmin e treguar nga qytetarë të shumtë për të dhuruar gjak për këtë rast të rëndë edhe pse spitali i Fierit ka rezerva të mjaftueshme gjaku.







All the contents on this site are copyrighted ©.