2010-11-09 17:11:07

Pakistan: Në Panxhab një e krishterë dënohet me vdekje për blasfemi.


(09.11.2010 RV)Në Pakistan një e krishterë u dënua me vdekje për blasfemi. Azia Bibi, 37 vjeçe, nënë dy fëmijësh, bujkeshë, u dënua të dielën në darkë nga gjykata e Panxhabit. Sipas trupit gjykues ajo u gjet fajtore për blasfemi, të cilën e ka thënë përpara një grupi shoqesh në punë gjatë një diskutimi tepër të ndezur, në qershorin e kaluar në Itanvali. Disa nga gratë që punonin me të po përpiqeshin ta bindnin të hiqte dorë nga feja e krishterë dhe të përqafonte islamin.

Gjatë debateve Bibi është përgjegjur duke bërë një krahasim ndërmjet krishterimit dhe islamit, thotë agjencia e lajmeve Azianjuz. Myslimanet janë fyer dhe pasi e kanë rrahur gruan e krishterë e kanë mbyllur atë në një dhomë. Më tej, tregon “Relizë Internashonal”, një agjenci ndërkombëtare që mbron të krishterët e persekutuar, një grup i vogël është mbledhur dhe ka filluar të shajë gruan dhe fëmijët e saj. Pastaj, si pasojë e nxitjes nga ana e udhëheqësve myslimanë, gruaja në fjalë është denoncuar për blasfemi. Drejtori i “Relizë Internashonal”, Andi Diper, shprehu tronditjen e tij të thellë për vendimin e gjykatës.

“Pakistani ka kaluar një prag të caktuar me dënimin e kësaj gruaje për blasfemi.” – tha ai. Bibi është dënuar gjithashtu edhe me vleftën e rrogës së dy vjetëve e gjysmë. Një tjetër e krishterë, Marta Bibi (po që nuk është farefis me Azian) po gjykohet këto ditë në Lahore po për blasfemi.
Sipas të dhënave të Komitetit kombëtar të drejtësisë dhe paqës të Kishës Katolike, nga viti 1986 deri në gushtin e 2009 janë akuzuar së paku 964 vetë për profanim të Kuranit ose për shpifje kundër profetit Muhamet.

Ndër këta 479 kanë qenë myslimanë, 119 të krishterë, 340 ahmadi, 14 hindu dhe 10 të besimeve të tjera fetare. Ligji i blasfemisë përbën edhe një pretekst për sulme, hakmarrje personale ose vrasje që mbeten të pazgjidhura. Gjithsej janë 33 vrasjet për të tilla motive, të kryera nëpër vendet myslimane nga individë ose nga turma të zemëruara.







All the contents on this site are copyrighted ©.