2010-11-09 12:28:56

Kujtojmë sot Imzot Bernardin Shllakun në 54 vjetorin e vdekjes.


(09.11.2010RV)Imzot Bernardin Shllaku, i biri i Jozefit e i Marie Ndojës, lindi në Shkodër më 23 qershor 1875, veshi petkun e Shën Françeskut më 8 dhjetor 1892; kushtet e përkohshme i bëri më 8 dhjetor 1893; të përjetshmet më 14 dhjetor 1896. U shugurua meshtar më 26 dhjetor 1897; Ipeshkëv i Pultit, më 1910; vdiq më 9 nëntor 1956. Me emrin e tij lidhet një shekull i historisë së Kishës në Shqipëri. Më 1911, kur Shqipëria përgatitej të rilindte, ai ishte tashmë Ipeshkëv i Pultit, Bari i Kishës, tek i cili grigja katolike që jetonte nëpër male kishte gjetur strehë të sigurt në përpjekjen për të përballuar presionin turk e serb. Më 1935 familja françeskane do të kremtonte me madhështi 25- vjetorin e ipeshkvisë së tij.
Pastaj do të vinin vitet e rënda të burgimit, të poshtërimit, të izolimit e të vënies para një prove të rëndë: marrjes së vendimit për nënshkrimin e “Statutit të Kishës Katolike të Shqipërisë", sepse i vetmi prelat i mbetur gjallë në atë kohë tragjike të diktaturës komuniste për krishterimin e fetë në vend.
Për këtë ipeshkvi i dioqezës së Pultit është një nga figurat më të diskutuara të hierarkisë katolike shqiptare të shekullit të kaluar.
Ishte një çast i rrezikshëm politiko - fetar, që e vinte klerin katolik para një përgjegjësie të rëndë, përballë politikanëve komunistë në vitet 1949-1951. Në këto kushte imzot Shllaku u takua me Mehmet Shehun. Ai vetë na ka lënë këtë dëshmi: “Atë ditë ishte festa e madhe, festa e Zemrës së Krishtit. Pikërisht atë ditë të bekueme më pat thirrë Mehmet Shehu në kryeministri. Ndejem vetëm për vetëm. Më tha: ‘Ma jep dorën, monsinjor Shllaku, dorën e besën shqiptare!’. Ia dhashë dorën, ma shtërngoi fort e shtoi: “Qe besa e burrave shqiptarë! Për nder të flamurit e të partisë, derisa të jem unë gjallë, ipeshkvijtë shqiptarë, nëpërmjet kanalit të qeverisë, do të aprovohen prej Papës!”.
Ndonëse pa bindje të plotë, duke dashur të shpëtonte atë ç’mund të shpëtohej, imzot Shllaku pranoi, me mendimin: “Kush të mbesë gjallë, të luftojë e të desë, në qoftë nevoja! Na deri këtu e prumë!”.
Imzot Bernardin Shllaku vdiq me 9 nëntor 1956, por besa vazhdoi deri në rrënimin e madh të 1967-tës. E megjithëse në Rrëshen të Mirditës Enver Hoxha kishte shpallë me të madhe: “Më në fund e ndamë Kishën katolike nga merimanga e zezë e Vatikanit”; shkëputja e ndarja e Kishës katolike e Shqipërisë nga Selia e Shenjtë e Romës nuk u bënë kurrë. Ishte një besë që u mbajt gjallë me gjakun e martirëve, dëshmitarëve të Udhëheqësit të vetëm të njerëzimit, Jezu Krishtit Zot.







All the contents on this site are copyrighted ©.