2010-11-09 19:25:50

KE në raportin e publikuar, kritikon Kosovën


Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për Kosovën, ku theksohet se janë gjetur përparime të kufizuar në disa fusha, mirëpo krimi i organizuar, korrupsioni, shpëlarja e parave, politizimi i gjyqësorit, mungesa e lirisë së mediave, vazhdojnë të konsiderohen shqetësime serioze. Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, ka thënë se kur Kosova të plotësojë kriteret, do të fillojë dialogun me BE-në për liberalizimin e vizave.
Të gjitha këto vlerësimeve janë paraqitur në raportin që Komisioni Evropian publikoi sot në Bruksel.
“Korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe mbetet një problem shumë serioz”, thuhet në raport. Po ashtu thuhet se korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në nivele të larta dhe si i tillë është shqetësim serioz. Në këtë drejtim, Raporti i progresit i Komisionit Evropian përmend faktin se ka mospërputhje të madhe të të ardhurave të zyrtarëve dhe pasurisë së tyre.
Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, duke folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian, tha se ky proces është në interes të vet këtij unioni. Ai përmendi kushtet rigoroze për procesin e zgjerimit në përgjithësi dhe kredibilitetin si pika esenciale për procesin e zgjerimit.
Ndërkaq, për Kosovën tha se procesi i decentralizimit ka shënuar progres, mirëpo vazhdojnë të mbesin sfida politike. Sipas tij, qeveria e Kosovës ka ngritur kapacitetet e saj në zbatimin e agjendës evropiane. Megjithatë, sfidat më të mëdha, tha ai, janë në reformën e administratës publike dhe sundimin e ligjit.

“Menjëherë pasi Kosova të implementojë Strategjinë për riatdhesimin dhe riintegrimin e të kthyerve, Komisioni Evropian është i përkushtuar që së shpejti të nisë dialogu për liberalizimin e vizave”, tha Fule, raporton e dërguara jonë në Bruksel, Besnike Salihu.
Në Raportin e Progresit, Kosova kritikohet edhe për progres të pamjaftueshëm në luftë kundër trafikimit të drogës, ndërkaq Komisioni po ashtu shpreh shqetësim edhe për problemin e shpëlarjes së parave.
Financimi i partive politike thuhet se nuk është në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian, ndërkaq shqetësime serioze konsiderohen prokurimi publik, gjyqësori dhe sistemi i zbatimit të ligjit.
“Ndikimi politik në procesin e ri-emërimit dhe propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është një çështje serioze shqetësuese”, thuhet në raport, ndërsa në përgjithësi thuhet se performanca e sistemit gjyqësor kosovar mbetet e dobët. Në këtë drejtim përmendet edhe veriu i Kosovës, me ç’rast thuhet se sundimi i ligjit në veri nuk është plotësisht i garantuar.Në raport kritikohet edhe fusha e lirisë së medieve.
Përveç shqetësimeve që prezantohen në raport, po ashtu shënohen edhe disa përparime. Në raport thuhet se Kosova ka shënuar përparim në integrimin e pakicave, por shton se puna edhe këtu duhet të vazhdojë. Përparim shënohet edhe në qeverisjen lokale.
“Ka pasur pak progres në reformën e qeverisjes lokale. Kosova ka shënuar progres në fushën e decentralizmit…”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komisionit Evropian. /nga Telegrafi/







All the contents on this site are copyrighted ©.