Kalendari kishtar me 9 nëntor përkujton shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran,
në Romë.
(09.11.2008 RV)Në aktet e martirizimit të Shën Justinit e shokëve të tij, shkruhet:
“Pyeti atëherë prefekti Rustiko: ‘Ku mblidheni?”. Justini u përgjigj: “Ku mundemi
e ku na pëlqen; ti kujton se ne mblidhemi të gjithë në të njëjtin vend, por nuk është
ashtu, sepse Zoti i të krishterëve, që është i padukshëm, nuk mund të mbyllet në një
vend të vetëm; Ai mbush përplot qiellin e tokën, prandaj nderohet e lumnohet kudo
nga ata që besojnë në Të”. Duke dhënë këtë përgjigje të guximshme, Shën Justini përsëriste
para gjykatësit, atë që Jezusi ia kishte thënë Samaritanes: “Më beso mua, grua, po
vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jeruzalem. Ju adhuroni
atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve.
Por po vjen koha – e tani është, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në
shpirt e në vertetësi” (Gjn. 4, 21-24). Festa e sotme, që na kujton ditën kur Bazilika
e Lateranit iu kushtua Shëlbuesit, sigurisht që nuk i kundërvihet dëshmisë së Shën
Justinit, e aq më pak Fjalës së Krishtit. Pa harruar se i krishteri e ka për detyrë
të lutet kudo e kurdoherë, që në kohët e para të krishterimit u ndje nevoja për t’u
mbledhur në vende ku besimtarët mund të luteshin, të shpallnin Fjalën e Zotit dhe
të rijetonin së bashku vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, duke vënë në jetë fjalët
e Tij: “Merrni e hani të gjithë; merrni e pini të gjithë; bëjeni këtë në përkujtimin
tim!” Fillimisht këto takime bëheshin ndër shtëpi private, edhe sepse Kisha nuk
njihej nga autoritet perandorake. Por kjo njohje do të arrihej shumë shpejt e bashkë
me të, do të fillonte edhe ndërtimi i vendeve të kultit të krishterë, ndërmjet të
cilëve, tempujt më madhështorë të krishterimit: Bazilika e Shën Gjonit në Lateran,
e Shën Pjetrit në Vatikan, e Shën Palit në Ostiense dhe e Shën Marisë së Madhe në
Eskuilin, që të gjitha në Romë. Bazilika e Lateranit në Romë u themelua nga Papa
Melkiadhi (311-314) në trojet e dhuruara nga perandori Kostandin pranë Pallatit Lateranens,
asokohe seli perandorake, më pas seli papnore. Lindte kështu ‘Kisha nënë e të gjitha
kishave të Romës e të Botës’. Më pas bazilika u shkatërrua disa herë e disa herë edhe
u rindërtua. Në këtë Kishë dhe në Pallatin Lateranens (sot seli e Vikariatit të Romës)
u kremtuan pesë koncile, përkatësisht në vitet 1123, 1139, 1179, 1215 e 1512. Bazilika
e Shën Gjonit në Lateran, simbol i fesë të të krishetrëve të shekujve të parë, që
kishin nevojë të mblidheshin në një vend të përbashkët e të shuguruar për të kremtuar
Fjalën e Zotit dhe Misteret e Shenjta, mbetet simbol i të krishterëve të të gjitha
kohërave, pa harruar se tempulli i gjallë e i vërtetë i Hyjit duhet të jemi ne vetë”.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Kushtimit të Basilikës së Lateranit
Leximi i parë (1 Mbr 8, 22-23. 27-30)
Lexim prej Librit të
parë të Mbretërve
Në ato ditë, Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në
praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtriu duart e veta drejt qiellit dhe tha:
“O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë
mbi tokë! Ti e mban besëlidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në
praninë tënde me gjithë zemër. Dhe njëmend a mund të merret me mend se Hyji banon
mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zëjë! Aq më
pak kjo shtëpi që unë ta ndërtova! Por, vëri veshin uratës së shërbëtorit tënd dhe
lutjeve të tija, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe uratën që shërbëtori yt po e drejton
sot para teje! Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë shtëpi, mbi vendin,
për të cilin the: ‘Këtu do të jetë emri im!’ Dëgjoje uratën që po ta bën shërbëtori
yt në këtë vend! Denjohu ta plotësosh uratën e shërbëtorit tënd dhe të popullit
tënd Izraelit: për çkado që të kërkojnë me uratë në këtë vend. Dëgjo prej vendit ku
banon, prej qiellit: dëgjo e fal!”
Fjala e Zotit
Psalmi 95
Ejani
ta adhurojmë Zotin, Shëlbuesin tonë! ----- Ejani t’i këndojmë Zotit, t’i
brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë. T’i dalim para me falënderje, t’i këndojmë
këngë hareje!
----- Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, Mbret i madhërueshëm
mbi të gjithë zotat! Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, të tijat
janë edhe majat e maleve, i tiji është deti: ai e krijoi, duart e tija e formuan
tokën.
----- Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, të biem në
gjunjë para Zotit që na krijoi! Sepse ai është Hyji ynë, ne jemi populli i kullotës
së tij, grigja që ai e ruan.
Leximi i dytë (1 Pjt 2, 4-9)
Lexim
nga Letra e Parë e shën Pjetrit apostull
Fort të dashur, afrohuni Krishtit
– Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm
para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni shtëpi shpirtërore, për të
qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër
Jezu Krishtin. Këndej thuhet në Shkrim shenjt: “Ja, po vë në Sion një gur këndi, të
zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!” Për
ju, pra, që besoni, nder; kurse për ata që nuk besojnë, “gur që përbuzën ndërtuesit,
u bë gur i këndit.” E “gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.”
Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të
caktuar. Porse ju jeni “Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull
që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri
nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.”
Fjala e Zotit
Ungjilli
(Gjn 4, 19-24)
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në
atë kohë, gruaja Samaritane i tha Jezusit: “Zotëri, po shoh se je profet. Etërit tanë
adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi, ku duhet të bëhet
adhurimi.” Jezusi i tha: “Më beso mua, o grua: po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni
Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë
atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. Por po vjen koha – e tani është!
– kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati
kërkon shi adhurues të tillë. Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë
në shpirt e në të vërtetë.” Fjala e Zotit
Sot është festa e Shugurimit
të Bazilikës së Lateranit. Kremtimi i shugurimit të Kishës në liturgji kuptohet si
festë e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse çdo kishë i kushtohet para së gjithash Jezu
Krishtit. Prandaj liturgjia e kësaj feste ka përparësi para liturgjisë së të dielës.
Për këtë arsye edhe leximet e meshës dhe lutjet sot i kemi marrë prej festës së kushtimit
të kishës. Përvjetori i kushtimit të bazilikës, të cilën e ka ndërtuar perandori
Konstantin mbi kodrën e Lateranit në Romë, që nga shekulli XII. kremtohej më 9 nëntor.
Fillimisht kjo ishte festë vetëm për qytetin e Romës. Më vonë kremtimi u shtri në
të gjitha Kishat e ritit romak për të nderuar bazilikën e quajtur “kisha – nënë dhe
kryet e të gjitha kishave të Qytetit (të Romës) dhe të botës”, dhe si shenjë dashurie
dhe bashkimi ndaj katedrës së shën Pjetrit apostull, që, sipas shën Ignacit të Antiokisë,
“e udhëheq të gjithë bashkësinë e dashurisë”. Në shekullin 16. është ndërtuar bazilika
e re e shën Pjetrit, mbi varrin e kryeapostullit shën Pjetr në Vatikan, kështu që
sot kjo Kishë Bazilikë është simbol bashkimi i besimtarëve të krishterë. Megjithatë
festa e Shugurimit të Bazilikës së Lateranit na nxit të mendojmë jo vetëm për Kishat
tona materiale prej ndërtese, që i kemi lartuar për ta nderuar në to Zotin, të cilin
nuk mund ta përfshijnë as qielli e toka së bashku, e jo më një vepër e duarve të njeriut
– por edhe më tepër kjo na nxit të meditojmë për Kishën e Krishtit, bashkësinë e besimtarëve,
të cilën e ka ndërtuar vetë i madhi Zot, që të jetë banesë e denjë shpirtërore për
Hyjin e gjallë, i cili nuk banon në ndërtesa guri, por në shpirtra të besimtarëve
të vet. Origeni thotë: Sikurse nga gurët materialë, që në themel vendosen ata
që janë më të fortët dhe më të qëndrueshëm, që të mund t’u besohen atyre dhe mbi ta
të vihet pesha e tërë ndërtesës, kështu ndodh edhe me gurët e gjallë: disa prej tyre
janë të vendosur në themelin e ndërtesës shpirtërore. Cilët janë këta gurë të vendosur
në themel? “Apostujt dhe profetët”. Vërtet, kështu mëson shën Pali: “Jemi të ndërtuar
mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka,
është vetë Jezusi Mesi” (Ef 2, 20). Shën Augustini na shpjegon se si bëhemi ne
banesë e Hyjit, tempull i tij: »Kushtimi i shtëpisë së lutjes është festa e bashkësisë
sonë. Kjo ndërtesë është bërë shtëpia e kultit tonë. Por, ne vetë jemi shtëpia e Hyjit.
Ndërtohemi në këtë botë dhe do të kushtohemi vetëm në fundin e shekujve. Shtëpia,
ose më mirë të themi ndërtesa, kërkon mund. Porse kushtimi bëhet me gëzim. Ajo
që ndodhte këtu derisa ndërtohej kjo shtëpi, përtërihet kur besimtarët mblidhen në
Krishtin. Me anë të fesë ata bëhen material i gatshëm për ndërtim ashtu si kur prehen
pemët dhe gurët në male dhe në bjeshkë. Kur të katekizohen, të pagëzohen, të formohen,
janë porsi të latuar, të gdhendur, të lëmuar në duart e ndërtuesve. Megjithatë
nuk bëhen shtëpia e Hyjit vetëm se kur janë të bashkuar në dashuri. Nëse këta drurë
dhe këta gurë nuk puthiten së bashku me një lloj rregulli, nëse nuk lidhen me harmoni,
nëse duke u lidhur mes tyre në një farë mënyrë nuk do të donin njëri-tjetrin, asnjëri
prej tyre nuk do të hynte në këtë shtëpi. Dhe në të vërtetë, kur të shohësh në ndonjë
ndërtesë gurë dhe drurë të lidhur mirë, ti hyn i sigurt dhe nuk ke frikë se ajo do
të shembet. Duke dashur, pra, Krishti Zot të hynte dhe të banonte në ne, gati në
çastin e ndërtimit thoshte: “Po ju jap një urdhër të ri” (Gjn 13, 34). Ishit plakur
dhe nuk më ndërtonit ende një shtëpi, por rrinit të shtrirë në gërmadhat tuaja. Për
këtë arsye, për t’ju shpëtuar nga shkatërrimi i gërmadhave tuaja, duajeni njëri tjetrin.
... Pra, çka këtu shohim të realizuar materialisht në mure, le të bëhet shpirtërisht
në shpirtra; dhe ajo që shohim të përmbushur në gurë dhe në drurë, le të përmbushet
në trupat tuaj me anë të hirit të Zotit.« Secili besimtar është tempull i Shpirtit
Shenjt, tempull i Zotit, por sidomos krejt Kisha si bashkësi është tempull i Hyjit,
vendbanimi i pëlqyeshëm për Zotin tonë. Por që të bëhet gjithnjë e më i bukur, më
i çmueshëm, më i shenjtë dhe më i pëlqyeshëm për Hyjin tonë – ne duhet dita ditës
të formohemi, të pastrohemi, të shenjtërohemi dhe të përsosemi në dashuri të ndërsjellë
me njëri-tjetrin dhe me Kishën e gjithmbarshme. Po të ishim të përçarë ndër vete,
do ta shkatërronim tempullin e Zotit – e ne jemi të ftuar që ta ndërtojmë, e jo ta
shkatërrojmë. Për këtë arsye edhe festojmë këtë festë të Kushtimit të Bazilikës së
Lateranit – si simbol bashkimi, si dëshmi të dashurisë së gjallë të krejt Kishës me
Kishën e Romës në krye me papën, të cilin vetë Jezu Krishti e ka vendosur në themel
të Kishës së vet, që të jetë një e vetme, e lidhur në mënyrë të pandashme me lidhje
të pashkatërrueshme të dashurisë vëllazërore.