2010-11-09 17:10:19

Ekspozitë dhe konferencë për Bibliotekën e restauruar të Vatikanit


(09.11.2010 RV)Një milion e 600 mijë vëllime, 80 mijë dorëshkrime, 100 mijë njësi arkivi, rreth 8 mijë e 400 inkunabola, 300 mijë monedha e medalje, 150 mijë stampa, vizatime e matrica, mëse 150 mijë fotografi. Janë disa nga shifrat, që karakterizojnë “bibliotekën e papëve”, e cila i hapi dyert për publikun më 20 shtator, pas tri vjet punimesh restaurimi.
Me rastin e hapjes, që pritej nga shumë studiues – gjatë një viti, shkojnë në Bibliotekë rreth 20 mijë – në Krahun e shën Karlit të Madh, është organizuar një ekspozitë, e cila do të përurohet më 11 nëntor. Titulli i saj flet vetë: “Të njohim Bibliotekën e Vatikanit, histori e hapur para së ardhmes”. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Ajo ka në dispozicion mjete multimediale, me të cilat mund të shihen hapësira “të brendshme”, që nuk mund të vizitohen.
Krahas kësaj iniciative, nga data 11 deri më 13 nëntor, do të mbahet Konferenca me temë “Biblioteka Apostolike e Vatikanit si vend kërkimi e si institucion në shërbim të studiuesve”. Ekspozita dhe konferenca u paraqitën sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nga bibliotekari i Kishës Shenjte Romake, kardinali Rafaele Farina, nga prefekti i Bibliotekës, imzot Çezare Pazini, nga zv.prefekti Ambroxhio Piaconi, nga organizatorja e ekspozitës Barbara Jata dhe nga administratori i Veprës romake të shtegtimeve, atë Çezare Atuire.







All the contents on this site are copyrighted ©.