2010-11-09 15:32:34

Benedikti XVI në plenaren e Konferencës Ipeshkvnore Italiane: të njihet “primati edukativ” i familjes e të vlerësohet liturgjia si burim i së mirës


(09.11.2010 RV)Të vlerësohet liturgjia në një epokë, që e lë mënjanë përmasën shpirtërore dhe, t’i njihet familjes “primati” në formimin e brezave të rinj. Këto janë pikat kryesore, që vë në dukje Papa, në Mesazhin drejtuar asamblesë së 62-të të përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, mbledhur që dje pasdite në Asizi.
Simptomat e kohëve të sëmura, që po jetojmë, Papa i sheh përtej fasadës së progresit. Shkenca dhe teknika kanë sjellë përparime të rëndësishme e shumë të vlefshme, thekson Benedikti XVI, por kjo nuk e mbush zemrën e njeriut. Kultura bashkëkohore e ka eklipsuar Zotin e me të edhe përmasën e brendshme shpirtërore. Duke mos pasur pika të qarta referimi, është bërë i vështirë edhe formimi i identitetit personal në një kontekst pluralist e të copëzuar e, me ndarjen e inteligjencës nga ndjenjat e dashurisë, janë rritur vështirësitë e dialogut ndërmjet brezave. Kjo shoqëri, refleton Papa, e ka lënë sferën morale në qoshen e subjektivizmit, ku Zoti, edhe kur nuk mohohet, përjashtohet nga ndërgjegjja kolektive. Të gjitha këto elemente, theksoi Ati i Shenjtë, janë shenjë e një krize besimi tek jeta dhe ndikojnë negativisht në procesin edukativ. Për ta ndryshuar gjendjen, nënvizon Benedikti XVI, nuk mjafton vetëm të bëjmë thirrje për kthimin e vlerave, as vetëm të japim ndonjë propozim edukativ tepër të fragmentuar e funksional.
Përgjegjësia e edukimit të brezit të ri, vazhdon Papa, duhet të merret përsipër nga të gjithë ata, që e kanë për zemër shoqërinë e njerëzve dhe të ardhmen e saj. Pikë së pari, familja. Asaj duhet t’i njihet primati i edukimit të të rinjve, sepse brenda saj merr formë fytyra e një populli. Përveç kësaj, i këshillon Benedikti XVI ipeshkvijtë italianë, vlerësoni liturgjinë, burim i përhershëm i shembullit të mirë të jetës ungjillore. Ajo na çon drejt takimit me Krishtin. Përmes saj, besimtari i çdo kohe eksperimenton praninë, primatin dhe veprën e Zotit.
E meqë Plenarja e ipeshkvijve do të shqyrtojë përkthimin në italisht të edicionit të tretë tipik të Mesharit Romak, Papa i ftoi ta respektojnë në maksimum Fjalën e shenjtë, shprehur në liturgji, e cila, pavarësisht se duhet të marrë parasysh kohën e njerëzve, është një dritare që hapet përtej kësaj kohe. T’i japësh zë këtij realiteti gjithnjë të vlefshëm, vëren Ati i Shenjtë, kërkon një ekuilibër të mençur ndërmjet vazhdimësisë dhe risisë, ndërmjet traditës dhe aktualizimit. Papa përfundon duke thënë: “çdo reformator i bindet fesë: nuk lëviz arbitrarisht, as merr përsipër ndryshime të ritit, që s’i takojnë; nuk është pronari, por rojtari i thesarit, që Zoti na ka besuar. Krejt Kisha është e pranishme në çdo liturgji: pranimi i formës është kusht për vërtetësinë e asaj, që kremtohet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.