2010-11-09 14:45:52

21 vjet nga rënia e Murit të Berlinit


(09.11.2010 RV)Në mbrëmjen 9 nëntorit 1989, Muri i Berlinit prej 155 kilomerash, që ndante Gjermaninë Perëndimore nga ajo Lindore, që për ironi të fatit quhej “Demokratike”, ra, duke shënuar fundin e komunizmit e të socializmit, i cili e kishte lënë Evropën me një këmbë. Është domethënëse, që bastioni i fundit i komunizmit në Evropë, Shqipëria, fiton të drejtën të qarkullojë lirshëm e pa viza vetëm një ditë para 21- vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Ky mur ra dje edhe për Shqipërinë e vazhdon të bjerë sa herë që vende, apo popuj fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta e Evropa bashkohet gjithnjë e më shumë.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër zona ushtarake: franceze, britanike, amerikane dhe sovjetike. Këtë fat pati edhe qyteti i Berlinit. Natyrisht, nën thundrën e sovjetikëve, nga viti 1945 deri në vitin 1961, rreth tre milion njerëz u larguan nga Gjermania Lindore për të shkuar drejt perëndimit të lirë, të sigurtë se do të gjenin një jetë më të mirë. Mendja e sëmurë e komunistëve shpiku ndërtimin e një muri, për të ndalur largimin e gjermano-lindorëve, duke u bërë kështu simbol i mungesës së lirisë së tyre.
Pak pas mesnatës së 13 gushtit 1961, qeveria u dha urdhër më shumë se 40 mijë ushtarëve dhe policëve gjermano-lindorë të bllokonin me tela me gjemba gjithë kufirin, duke lënë vetën 13 pika kalimi për në Berlinin Perëndimor. 10 mijë kilometra tela u shtrinë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor. Muri u përfocua herë pas here dhe deri në vitin 1989 ai u bë një kulçedër me 45 mijë blloqe betoni, 259 qen kufiri dhe 302 kulla vëzhgimi.
Në qershor të vitit 1963, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, John F. Kennedy vizitoi Berlinin Perëndimor, ku mbajti një fjalim të fuqishëm kundër ngritjes së Murit, një nga çastet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, e cila shoi jetën e qindra njerëzve, që u përpoqën të kalonin këtë mur me njëmijë mënyra. Sipas të dhënave zyrtare, 270 vetë u vranë duke u arratisur e 3200 të tjerë u arrestuan. 5 mijë vetë arritën të kalonin në Berlinin Perëndimor. Mëse 75 mijë të tjerë u burgosën vetëm sepse mendonin të arratiseshin e, fatkeqësisht, u zbuluan.
Në vitin 1987, një tjetër president i Shteteve të Bashkuara, Ronal Reagan, vizitoi Berlinin, nga ku i bëri thirrje udhëheqësit sovjetik, Mikail Gorbaçov, ta hapte atë portë e ta shembte atë mur. Në tetor të vitit 1989, Gorbaçovi vizitoi Berlinin Lindor me rastin e 40-vjetorit të ndarjes së Gjermanisë dhe i bëri thirrje udhëheqësve gjermano-lindorë të ndiqnin reformat, që ai vetë kishte filluar në Bashkimin Sovjetik.
Më 9 nëntor 1989 në Berlinin Lindor u mbajt një konferencë shtypi. Shefi i medias së Partisë Komuniste, Gynter Shabovski u tha gazetarëve se byroja politike do t’u lejontë njerëzve të shkonin në perëndim. Brenda disa minutash, pas deklaratës së tij, gjermano-lindorët u vërsulën drejt postave të kufirit dhe në mesnatën e 9 nëntorit qindra mijëra prej tyre vërshuan drejt Perëndimit. Rojet u kapën në befasi, askush nuk kishte marrë urdhër për ndonjë veprim. Pas disa orësh ankthi, kur u pa se as trupat sovjetike nuk hapën zjarr, rojet lanë pozicionet ndërsa njerëzit kalonin kufirin.







All the contents on this site are copyrighted ©.