8 nëntori 1464 shkruhet 'Formula e Pagëzimit' nga imzot Pal Engjëlli
(08.11.2010 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 8 nëntor përkujtojmë datën
e shkrimit të dokumentit Kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit,
në gjuhën kishtare të kohës, latinisht, në të cilin dokumentgjendet në gjuhën
shqipe “FORMULA E PAGEZIMIT”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë
shqip që njihet e që mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462. Dokumenti i
kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt
i heroit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën
Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae
Jorga më 1915. Dokumenti është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar
imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër Kishat
famullitare dhe vise të territorit të kryedioqezës së Durrësit. Në mbarim të kësaj
vizite baritore e shpirtërore imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit
të Kishës, situatën e vështirë në të cilën gjendeshin banorët e besimtarët, problemet
e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke u lënë porosi,
në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) ti pagëzonin foshnjat
në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës sipas ritualit kishtar të Pagëzimit…“Unë
po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Së fundi
në këtë dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës të ndihmojnë
popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.