19 nëntori, ditë reflektimi e lutjeje për Kolegjin Kardinalor.
(08.11.2010 RV)Dekani i Kolegjit të Kardinajve, kardinali Anxhelo Sodano, përmes
një Letre, nënshkruar më 30 tetorin e kaluar, i njoftoi të gjithë anëtarët e Kolegjit
si dhe kardinajtë e rinj të zgjedhur se, para kremtimit të Koncistorit të Zakonshëm
Publik të 20 nëntorit të ardhshëm, Ati i Shenjtë i fton të marrin pjesë në një ditë
reflektimi e lutjeje. Është dita para Koncistorit, 19 nëntori. Mbledhja do të
mbahet në Sallën e Re të Sinodit të Ipeshkvijve, në Vatikan. Do të fillojë me kremtimin
e Orës së Mesditës. Pastaj punimet do të hapen me referatin e hyrjes, mbajtur nga
sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, për të vijuar me diskutimin
rreth dy temave: “Situata e lirisë fetare në botë dhe sfidat e reja” si dhe “Liturgjia
në Kishën e ditëve tona”. Pasdite, pas kremtimit të Lutjeve mbrëmësore, do të
ketë tre Komunikime: I pari do të jetë ai me titull: “Dhjetë vjet pas Dominus Iesus”
(Deklaratë e Kongregatës për Doktrinën e Fesë), kushtuar universalitetit shëlbues
të Krishtit. Do të mbahet nga kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për
Çështjet e Shenjtorëve. I dyti titullohet “Përgjigjja e Kishës ndaj rasteve të
shpërdorimeve seksuale”. I treti i kushtohet Kushtetutës “Anglicanorum coetibus”. Të
dy komunikimet e fundit do t’i bëjë kardinali Levada, Prefekt i Kongregatës për Doktrinën
e Fesë.