2010-11-07 18:40:32

Vizita e Papës tek fëmijët me kufizime fizike, të denjë për dashurinë e botës, tha Ati i Shenjtë


(07.11.2010 RV)Sot pasdite, Ati i Shenjtë vizitoi institutin kishtar “Vepra e bamirësisë shoqërore e Krishtit Fëmijë”. Ky institut, që përmbledh fëmijët Daun, por edhe autistë, epileptikë e njerëz me probleme në personalitet e në sjellje, u hap në vitin 1892 nga Nënë Karmen del Ninjo Hezus Gonxales Ramos, shpallur e Lume më 6 maj 2007, themeluese e Motrave françeskane të Zemrës së Krishtit. Në këtë strukturë, fëmijët e të rinjtë mund të ndjekin shkollën, të qëndrojnë sëbashku në rezidenca të ndërtuara për ta, kanë në dispozicion një konsultore mjekësore dhe një laborator. Gjatë ceremonisë në gjuhën katalane, në fund të së cilës Papa bekoi gurin e parë të rezidencës së re të qendrës, Benedikti XVI falenderoi nga zemra autoritetet dhe të gjithë ata, që mbështesin këtë iniciativë të murgeshave. Në këtë çast të vështirë për familjet, theksoi Ati i Shenjtë, duhet të shumëfishojmë gjestet konkrete të solidaritetit të krishterë:RealAudioMP3
“Në kujdesin për më të dobtit, kanë kontribuar shumë përparimet e jashtëzakonshme të shëndetësisë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, të cilët janë shoqëruar me rritjen e bindjes për rëndësinë që kanë marrëdhëniet njerëzore në suksesin e kurave. Prandaj, është kërkesë e njeriut, që zhvillimet teknologjike në fushën mjekësore të mos shkojnë kurrë kundër respektit për jetën e për dinjitetin njerëzor, në mënyrë që ata që vuajnë nga sëmundje apo të meta psikike a fizike të marrin gjithnjë atë dashuri e atë kujdes, që u lejon të ndjehen të vlerësuar si persona me nevoja konkrete”.
Instituti u jep ndihmë shëndetësore dhe psikologjike rreth 250 pacientëve, me moshë nga 3 deri në 21 vjeç. Pikërisht atyre iu drejtua Papa në fund të takimit:
“Largohem duke e falenderuar Zotin për jetën tuaj, kaq të çmuar në sytë e Tij, e duke iu siguruar se zini një vend shumë të rëndësishëm në zemrën e Papës. Lutem për ju çdo ditë e ju kërkoj të më ndihmoni me lutjen tuaj, që ta realizoj besnikërisht misionin, që më ka besuar Krishti. Nuk mungoj të lutem edhe për ata, që u shërbejnë të vuajturve, duke punuar pa u lodhur që njerëzit me të meta të kenë vendin që u takon në shoqëri e të mos mënjanohen për shkak të kufizimeve”.
Papa lavdëroi impenjimin e meshtarëve dhe të besimtarëve, që vizitojnë të sëmurët në shtëpi, nëpër spitale e nëpër institute të ndryshme dhe i dhuroi Veprës së Bamirësisë Shoqërore të Krishtit Fëmijë një mozaik oval, ku pasqyrohet Familja e Shenjtë e Nazaretit. Edhe fëmijët e përshëndetën Benediktin e XVI, para se të largohej nga struktura për në aeroportin e Barcelonës, ku pasi u takua me kreun e qeverisë spanjolle, Hosè Luis Rodrigez Zapatero dhe përshëndeti autoritetet, u kthye në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.