2010-11-07 19:15:30

Përfundoi udhëtimi i 18-të apostolik i Papës Benedikti XVI në Spanjë. Familja dhe fëmijët, në qendër të ditës së sotme


(07.11.2010 RV)Me ftesën për t’u parë në Madrid, në Ditën Botërore të Rinisë 2011, përfundoi sot udhëtimi i 18-të apostolik i Papës Benedikti XVI në Spanjë, në dy vende tejet të rëndësishme për krishterimin evropian, si Santiago de Compostela dhe Barcelona. Një shtegtim i mrekullueshëm, mes misterit të një shenjti, që thërret prej kohësh njerëz nga e gjithë bota t’ia hapin zemrën Zotit dhe madhështisë së një kishe, arkitekti i së cilës deshi që ajo të ishte “homeli në gur”.RealAudioMP3


Vetë Papa, duke u larguar nga Spanja, në aeroportin ndërkombëtar të Barcelonës përshkoi etapat e udhëtimit, duke sqaruar fillimisht qëllimin e këtij shtegtimi:
“Si Pasardhës i Shën Pjetrit, kam ardhur për të përforcuar vëllezërit e mi në fe. Në atë fe, që në agimet e krishterimit, erdhi në këto troje dhe hodhi rrënjë kaq të thella, sa farkëtoi shpirtin, zakonet, artin dhe karakterin e banorëve. Ruajtja dhe shtimi i kësaj trashëgimie të pasur shpirtërore është shenjë jo vetëm e dashurisë së një vendi për historinë dhe kulturën e vet, por është edhe rrugë e privilegjuar për t’u përçuar brezave të rinj këto vlera themelore, kaq të nevojshme për ndërtimin e së ardhmes e të bashkëjetesës shoqërore të harmonishme”.
Benedikti XVI përmendi pastaj Santiago de Compostelën, ku çdo vit vijnë shtegtarë nga e gjithë bota, secili me gjuhën e veçoritë e veta, por me të njëjtën fe, me të njëjtin Ungjill të Krishtit, që është gjuha e përbashkët e kontinentit evropian. Këtu nguli këmbë Ati i Shenjtë, duke uruar që kjo fe të shndërrohet në burim frymëzimi për krejt Evropën, në mënyrë që ajo të tregohet më solidare, sidomos ndaj grupeve dhe kombeve më në nevojë.
E sinteza e udhëtimit në Spanjë vazhdoi me përmendjen e kushtimit të Bazilikës së Familjes Shenjte në Barcelonë, që Gaudì e konceptoi si lavd për Hyjin në gur, dhe të vizitës në Institutin “Obra nen Déu”, një iniciativë e rëndësishme institucionale kishtare me karakter bamirës e shoqëror. Dy simbole të Barcelonës së sotme, theksoi Papa, i cili e kaloi gjithë ditën në qytetin e bukur katalan.







All the contents on this site are copyrighted ©.