2010-11-07 18:37:09

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot: "Gaudì, me veprën e vet na tregon se Zoti është masa e vërtetë e njeriut"


(07.11.2010 RV)Papa ia dorëzoi çelësat e portës së kishës meshtarit përgjegjës, pastaj kreu gjestin domethënës e prekës të vojimit të elterit e të mureve. Pasardhësi i Shën Pjetrit, me duart e veta, shpërndau bagmin e shenjtë në sipërfaqe. Në gjuhën katalane, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, komentoi me gëzim aktin e kushtimit të Sagrada Families, e cila u deklarua bazilikë me një bulë papnore, lexuar nga kardinali Sistaç:
“Sot paradite, pata kënaqësinë ta deklaroj këtë kishë, Bazilikë minore”.
Kjo ditë – vazhdoi Papa – është me domethënie të madhe në historinë e gjatë të aspiratave, punës e bujarisë, që vazhdon prej mëse një shekulli:
“Mendoj se kushtimi i kësaj kishe Familjes Shenjte, në një epokë, në të cilën njeriu pretendon ta ngrejë jetën e vet pas shpinës së Zotit, si të mos kishte më asgjë për t’i thënë, është ngjarje me domethënie të madhe. Gaudì, me veprën e vet na tregon se Zoti është masa e vërtetë e njeriut, se sekreti i origjinalitetit të vërtetë është, siç thoshte vetë, në kthimin në origjinë, pra tek Zoti”.
Edhe në Barcelonë, ashtu si dje në Santiago de Kompostela, pavarësisht nga protestat e izoluara për praninë e Papës, besimtarët prunë gëzim e ngjyra nëpër sheshe e thirrjet e tyre mbushën me tinguj rrugët.







All the contents on this site are copyrighted ©.