2010-11-07 18:42:30

Kryearkitekti i Sagrada Families, Jordi Bonet: “Të shkosh pas arkitektit Gaudì është përvojë arti dhe feje”


(07.11.2010 RV)Pamjet televizve të Meshës së paradites së sotme, transmetuar në të gjithë botën, krijuan mundësinë për të admiruar, në krejt madhështinë e saj, arkitekturën e brendshme të Bazilikës Sagrada Familia. Një kryevepër arti dhe arkitekture, e njohur universalisht, që Benedikti XVI deshi ta kremtojë, duke fokusuar disa nga aspektet më gjeniale të mendjes së arkitektit të Bazilikës, Antoni Gaudì. Në vazhdën e këtij gjeniu të madh katalan, punimet për ndërtimin e kishës, ende të papërfunduar, i vazhdon sot arkitekti Jordi Bonet, që në fillim të Meshës u përshëndet nga Papa. Në mikrofonin tonë, vetë Bonet sqaron se si ka qenë e mundur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, të vazhdohen ndërtimet, duke i mbetur besnik projektit fillestar:RealAudioMP3
Gaudi ishte një person inteligjent. E dinte se ndërtimi i një monumenti kaq të madh, i paguar nga njerëzit e thjeshtë, mund të zgjatej jo vetëm 20, 40, 50 vjet, por shekuj… Guri i parë u vendos në vitin 1882; Gaudi vdiq në vitin 1926. Punoi për Sagrada Familien për 41 vjet rresht dhe ka lënë elemente të mjaftueshme për vazhdimin e veprës. Krejt arkitektura e re bazohej mbi vëzhgimin e natyrës e në natyrë ka sipërfaqe shumë rezistente, pa qenë e nevojshme një sasi e madhe materiali. Atëherë, falë gjeometrisë – pasi arkitektura ka nevojë për gjeometrinë – falë modulimit dhe përpjestimeve që përsëriten, është bërë e mundur t’i lihet trashëgim pasardhësit jo vetëm një ide e jashtëzakonshme, por edhe një ide e saktë, pasi gjeometria është shkencë ekzakte. Pra, Gaudì ka përdorur sipërfaqe të reja, sipërfaqe me vija me kurvim të dyfishtë, hiperbolide, konoide dhe helikoidale… ka luajtur me këto përpjestime në mënyrë shumë të thjeshtë dhe ka përdorur makete prej allçie të shkallës 1:10. Është e vërtetë se të gjitha studimet e Gaudì u dogjën nga revolucionarët ditën e parë të Luftës Civile, por maketet në allçi mbetën. E falë këtyre modeleve e falë studimit të tij mbi përpjestimet, rizbuluam rregulla gjeometrie, që na dhanë mundësi të vazhdojmë saktësisht idenë e Gaudì, edhe pa qenë ai vetë.
Nga ana tjetër, Gaudì e dinte se nuk mund ta përfundonte veprën. Thoshte: “Punëdhënësi, klienti im nuk ngutet”…
Gaudì thoshte gjithmonë: Provaninë e kemi me vete gjithmonë në Sagrada Familia. E Provania më ka bërë të punoj për 25 vjet për të mbuluar kishën: 4500 metra katrore, me një kapacitet, që arrin në 7-8 mijë vetë brenda. Është e vërtetë edhe se më është dashur të kem parasysh reformën liturgjike të Koncilit II të Vatikanit, si edhe dëshirën e kardinalit kryeipeshkëv për ta bërë këtu selinë e tij. Në projektin e parë të Gaudì, bazilika nuk ishte seli ipeshkvnore, prandaj nuk parashikohej amboni. Më është dashur të riprojektoj krejt presbiteriumin e ky është një proces reinterpretues shumë i rëndësishëm, por Gaudì nuk ishte më e më dukej diçka e pamundur. Këtu, na erdhi në ndihmë informatika, sepse – për shembull – për të prerë granitin në format që shihen në kishë, me dorë duhej një muaj, me kompjuter vetëm një natë. Prandaj, diçka që do të mund të realizohej në dy shekuj, tani mund të realizohet në dy vjet.
Ky tempull nuk është ndërtuar me betonarme, por thjesht me gurë të punuar, prandaj bazohet mbi ligje krejtësisht të ndryshme nga metodat moderne të ndërtimit, apo jo?
Nuk e dimë sa mund të rrojë betonarmeja: 100 vjet? 150? Sepse hekuri, çeliku dhe uji nuk janë miq… Krejt pjesa që mbulon kishën, me kërkesë të Gaudì, nuk përmban asnjë gram çelik: është bërë vetëm me qeramikë dhe me granit. Kështu, jemi të sigurtë se do të durojë.
Ju keni trashëguar punimet, por edhe pasurinë shpirtërore të Gaudì, i cili ishte njeri i fesë. Artisti dhe besimtari duhet të jenë të pandashëm në një vepër të tillë, sipas jush?
Ky është mister, sepse hiri i fesë nuk varet nga njeriu: është dhuratë. Edhe arti është dhuratë. Po ju them vetëm një kuriozitet: fasada e Mundimeve arrin deri në vdekjen dhe në varrimin e Jezusit. Ringjallja nuk shihet. Pse? Sepse askush nuk e ka parë ringjalljen. Duhet hyrë në Kishë për t’i besuar ringjalljes: ky ishte mendimi i Gaudì…







All the contents on this site are copyrighted ©.