2010-11-06 11:48:25

Santiago i Kompostelës


(06.11.2010 RV)Me 93 mijë banorë, seli e qeverisë së pavarur të Galicisë, që nga udhëtimi i parë i Kristofor Kolombos (1492) konsiderohej “finis terrae”, domethënë, skaji i fundit perëndimor i tokës. Qyteti ka zanafillë keltike. Emri i tij rrjedh nga ai i Shën Jakut të Madh Apostull, që në gjuhën vendase shqiptohet Sant Iago dhe nga “campus stellae” (Kompostela), fjalë që të kujtojnë yllin, i cili u priu besimtarëve, që kërkonin varrin e Shën Jakut pikërisht tek vendi, ku sot ngrihet Katedralja e Madhe. Sipas traditës, trupi i Shenjtit, i martirizuar e i varrosur në Jeruzalem, arriti mrekullisht në Spanjë. Në vendin ku u gjetën reliket e Apostullit, në vitin 813, Alfonsi II, mbret i Asturieve dhe i Galicisë, ndërtoi një kishë, e cila iu besua murgjërve benediktinë. Santiago, rrënuar në vitin 997 nga ushtria myslimane e Al-Mansurit, rindërtuar nga Bermudi II dhe shndërruar në vend kulti, u bë caku i tretë i rëndësishëm i shtegtimeve, pas Jeruzalemit e Romës. Në shekullin XVI këtu u përurua universiteti, që vijon edhe sot e kësaj dite veprimtarinë e tij. Qyteti dhe Udha e shtegtarëve drejt Santiagos, në vitin 1985 u shpallën nga UNESCO “Pasuri e njerëzimit”. Në vitin 1993 Santiago kremtoi Vitin Iakobé.
 Kryedioqeza e Santiagos të Kompostelës, e ngritur që në shekullin IX, Metropoli që më 1120, shtrihet në një sipërfaqe prej 8.545 kmk, ka 1.310.022 banorë; 1.2010.611 katolikë (92%); 1.069 famulli; 3 stacione misionare; 593 priftërinj dioqezanë; 203 meshtarë rregulltarë; gjithsej 301 regulltarë; 1.090 rregulltare; 4 diakonë të përhershëm; 25 seminaristë; 849 institute edukative; 17 institute bamirësie; 9.036 pagëzime në vitin 2009.








All the contents on this site are copyrighted ©.