Papa në përshëndetjen e parë drejtuar Spanjës: Evropa të kujdeset jo vetëm nevojat
materiale, por edhe për ato shpirtërore.
(06.11.2010 RV)Nisi sot shtegtimi i 18-të Apostolik i Benediktit XVI: vizitë
dyditore në dy lokalitete me traditë të lashtë katolike, Santiago i Kompostelës, i
lidhur ngusht me ritin e shtegtimit tek Varri i Shën Jakut Apostull, që kremton Vitin
e tij jubilar, dhe Barcelona, ku Papa do të kremtojë ritin e kushtimit të Tempullit
Sagrada Familia, ende i papërfunduar, 128 vjet pas ngritjes së kantierit vigan, gjithnjë
në aktivitet. Benedikti XVI arriti sot paradite në Santiago të Kompostelës, etapë
e parë e vizitës së tij apostolike në Spanjë. U nis në orën 8. 30 nga Roma, për të
arritur në kryeqendrën e Galicisë rreth orës 11.30. “Vij si shtegtar
për t’i nxitur Spanjën dhe Evropën t’u japin forcë të re rrënjëve të krishtera”. Me
këto fjalë, shqiptuar nga Papa në aeroportin ndërkombëtar të Santiagos së Kompostelës,
nisi shtegtimi i 18-të Apostolik i Benediktit XVI. Duke arritur në Galici, Ati i Shenjtë
kujtoi sesi tradita e krishterë la gjurmë të pashlyeshme në Spanjë e në të gjithë
Kontinentin e Vjetër. Që nga thellësitë e zemrës, tha Papa, njeriu është gjithnjë
për udhë e gjithnjë në kërkim të së vërtetës. Por për veprimtaritë kryesore të
paradites, të ndjekim të dërguarin e Radio Vatikanit në Spanjë. Nga Santiago, Paolo
Ondarza:
“Një Papë në shtegtim me Kishën e njerëzimin,
gjithnjë në kërkim të së vërtetës. Benedikti XVI iu paraqit kështu Spanjës, duke arritur
në aeroportin ndërkombëtar të Santiagos të Kompostelës. Kisha është në shtegtim, tha
Ati i Shenjtë, e njëkohësisht kryen edhe shtegtimin e vet shpirtëror, atë që e nxit,
përmes fesë, shpresës e dashurisë ta bëjë të dukshëm Krishtin për botën, të jetë,
në mes të njerëzve, prani e vetë Zotit: “.. edhe unë, tha Papa, u vura për
udhë për të përforcuar vëllezërit në fe. Vij si shtegtar në këtë Vit Shenjt Kompostelan
e mbart në zemër vetë dashurinë e Krishtit, që e shtynte Shën Palin Apostull të nisej
për shtegtimet e tij, me dëshirën e zjarrtë për të shkelur edhe në trojet spanjolle”. Benedikti
XVI e shprehu kështu dëshirën për t’u bashkuar me radhët e shtegtarëve, burra e gra,
që në shekuj kanë arritur nga të katër anët e botës në Kompostelë për t’u lutur tek
varri i Shën Jakut Apostull. Ata, vijoi Papa, me gjurmët e hapave të tyre, krijuan
udhën e kulturës, të lutjes, të kthimit tek Zoti, rrugë që u konkretizua në Kisha
e spitale, në bujtina, ura e manastire. Në këtë mënyrë, vijoi, Spanja e Evropa zhvilluan
një fizionomi shpirtërore, mbi të cilën la vulën e vet të pashlyeshme Ungjilli i Krishtit. Një
Papë dëshmitar e lajmëtar i Ungjillit edhe për Barcelonën, qytet ku do të shkojë sonte,
për të fuqizuar fenë e popullit të atij, të cilin Benedikti XVI e quajti qytet mikpritës
e dinamik: “Një fe, që u mboll në agimet e krishterimit, që mbiu
e u rrit falë ngrohtësisë së shembujve të panumërt të shenjtërisë, tha
Papa, duke kujtuar Injacin e Lojolës, Terezën e Jezusit, Gjonin e Kryqit,
Françesk Saverin, të cilët themeluan institucione të shumta bamirësie, kulture, edukimi”. E
po kjo fe, vijoi, frymëzoi arkitektin gjenial Antoni Gaudí në punën për ndërtimin
e Sagrada Familia. Ati i Shenjtë shprehu gëzimin e tij, duke kujtuar se nesër do
të kremtojë ritin e kushtimit të kësaj kishe, në të cilën pasqyrohet madhështia e
shpirtit njerëzor, që hapet, për t’i bërë shteg Zotit. Duke kujtuar traditat,
sukseset, por edhe vështirësitë që kalon vendi, Benedikti XVI e nxiti Spanjën dhe
mbarë Evropën për ta ndërtuar të tashmen e për ta projektuar të ardhmen duke u nisur
nga e vërteta e mirëfilltë mbi njeriun, nga liria, që e respekton këtë të vërtetë
e nuk i hap kurrë plagë e nga drejtësia për të gjithë, e sidomos, për njërëzit më
të varfër e më të braktisur: “Një Spanjë e një Evropë, që shqetësohen
jo vetëm për nevojat materiale të njerëzve, por edhe për ato morale e shoqërore, shpirtërore
e fetare, sepse të gjitha këto janë kërkesa të mirëfillta të njeriut e vetëm kështu
punohet në mënyrë të suksesshme, të gjithanshme e frytdhënëse për të mirën e tij”.
Mjegulla e dendur, që zbriste nga qielli i Santiagos mbi format
mahnitëse të Katedrales së lashtë, nuk mundi ta fshihte gëzimin dhe entuziazmin e
200 mijë besimtarëve, që kishin rendur rrugëve e shesheve për të përshëndetur Atin
e Shenjtë, i cili iu përgjigj entuziazmit me entuziazëm përmes përshëndetjes drejtuar
të gjithëve në gjuhën galege: “Duke ia besuar ndërmjetësimit të Shën
Jakut Apostull praninë time mes jush, i lutem Zotit t’ju bekojë të gjithëve. Shumë
faleminderit!”. Kisha është në shërbim të së vërtetës e të
lirisë, nuk mund të heqë dorë nga asnjëra prej këtyre dy përmasave: këtë theksoi Papa
gjatë vizitës në Katedralen e Santiagos së Kompostelës, ku shkoi menjëherë pas ceremonisë
së mirëseardhjes.