2010-11-06 18:40:45

Benedikti XVI gjatë Meshës në Santiago të Kompostelës: “Nuk mund të nderohet Zoti, pa mbrojtur njeriun!”.


(06.11.2010 RV)Pasdite Papa u nis nga Kryeipeshkvia, ku drekoi me ipeshkvijtë, për në Plaza del Obradoiro, apo Sheshi i Laboratorit, ku ndodheshin dyqanet e gurgëdhenësve, që skalisnin gurët për ndërtimin e Katedrales. Sheshi, që rrethohet nga fasada e Katedrales, hoteli historik i “Mbretërve katolikë”, Bashkia dhe Rektoria, zë më se 8 mijë vetë. Në këtë Shesh, duke nisur nga ora 16. 30, Papa kremtoi Meshën me rastin e Vitit Jubilar Kompostelan. Të pranishëm në kremtim, Princat e Asturieve dhe mijëra besimtarë.
Benedikti XVI e nisi dhe e përfundoi homelinë në gjuhën galiciane, duke vijuar meditimin për vlerat e shtegtimit, si kërkim i besimit në Krishtin e Ngjallur, transmetuar besnikërisht nga apostujt, ndërmjet të cilëve, Shën Jaku i Madh, që nderohet në Kompostelë qysh nga kohë të mugëta. Me emocion të thellë Papa iu drejtua shtegtarëve, konstruktorë të vërtetë të frymëzimit apostolik të Shën Jakut, pa të cilët pak e aspak do të kuptohej ky kremtim: RealAudioMP3
“Me forcë të madhe apostujt jepnin dëshminë e ringjalljes së Jezusit (Vap.4.33). Në pikënisje të gjithçka është krishterim ishte e vijon të jetë jo një nismë a një plan njerëzor, por Zoti, ai që e shpall Jezusin të drejtë e shenjt, përballë vendimit të gjykatës njerëzore, e cila e dënoi si zotmohues e armik; Hyji, që e shpëtoi Jezusin nga kthetrat e vdekjes; Hyji, që do t’ua nxjerrë të drejtën në shesh të gjithë të poshtruarve padrejtësisht të historisë njerëzore”.
Më pas Papa theksoi se Krishti, duke bërë vullnetin e Atit, erdhi për të shërbyer. E Apostujt vijuan të ecin në gjurmët e Tij, në rrugën e shërbimit, të bazuar mbi logjikën e dashurisë, të cilën Zoti ua propozoi edhe krerëve të popujve, duke u kujtuar se atje ku nuk ka impenjim për të tjerët, lindin format e prepotencës e të shfrytëzimit, që nuk mund ta krijojnë hapësirën e nevojshme për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut.
Nga ky vend, si lajmëtar i Ungjillit, që Pjetri e Jaku e nënshkruan me gjakun e tyre, e drejtoj shikimin nga Evropa, që shtegton në shekuj në Kompostelë, tha Papa duke vijuar me një mori pyetjesh retorike:
“Cilat janë nevojat e saj, druajtjet e shpresat? Cili është kontributi i posaçëm e themelor i Kishës, në këtë Evropë, e cila në gjysmën e shekullit të fundit përshkoi rrugën që çon drejt formave e projekteve të reja? Kontributi i saj përqëndrohet në këtë realitet krejt të thjeshtë e vendimtar: Zoti ekziston, është ai, që na dhuroi jetën!”.
Vetëm Ai është absolut, është dashuri besnike, e pandryshueshme, cak i pafundmë, që tejduket pas gjitha të mirave, pas bukurive e vërtetësive të mrekullueshme të kësaj bote; të mrekullueshme, por të pamjaftueshme për zemrën njerëzore. E kuptoi mirë këtë Shën Tereza e Krishtit, kur shkroi “Mjafton vetëm Zoti!”- theksoi Papa në vijim të homelisë, duke e shikuar, më pas, si tragjedi, faktin që në Evropë, posaçërisht në shekullin XIX , u arrit në pohimin e përhapjen e bindjes se Zoti është kundërshtar i njeriut e armik i lirisë së tij:
“E si mund të bazohet mbi vetveten, njeriu i vdekshëm, e njeriu mëkatar, të pajtohet me vetveten? Si është e mundur të heshtet publikisht mbi realitetin e parë e themelor të jetës njerëzore? Ne njerëzit nuk mund të jetojmë në gjysëmhije, pa e parë dritën e diellit. E atëherë, si është e mundur t’i mohohet Zotit, Diellit të mendjes, forcës së vullnetit e magnetit të zemrav tona, e drejta për ta propozuar këtë dritë, që i davarit të gjitha terrinat? Prandaj është e nevojshme që Zoti të rikthehet e emri i tij të jehojë gëzueshëm nën qiellin e Evropës; që kjo fjalë shenjte të mos shqiptohet kurrë kot; që të mos merret nëpër gojë për t’u shërbyer qëllimeve, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me Të”.
Fjalë të fuqishme këto të Papës, pasuar nga thirrja drejtuar Evropës për t’ia hapur zemrën Zotit, për t’u takuar me të pa frikë, për të punuar me hirin e tij në shërbim të dinjitetit të njeriut, që e zbuluan traditat më të mira, nga të cilat linden krijimet e mëdha filozofike e letrare, kulturore e shoqërore të Evropës.
Ky Hyj e ky njeri janë ata, që u dukën konkretisht e historikisht në Krishtin, Kryqi i të cilit është simboli më i lartë i dashurisë, deri në fund të fundit, është dhuratë e falje njëkohësisht. Prandaj duhet të jetë Ylli i Dritës në natën e kohëve. Në përfundim të homelisë, Papa bëri këtë thirrje prekëse, në mbrojtje të Zotit e të njeriut:
“Nuk mund të nderohet Zoti, pa mbrojtur njeriun, birin e tij e nuk mund t’i shërbehet njeriut, pa pyetur kush është Ati i tij... Evropa e shkencës, e teknologjive, Evropa e qytetërimit dhe e kulturës, duhet të jetë njëkohësisht Evropa e trashendencës dhe e vëllazërimit me kontinentet e tjera, Evropa e Hyjit të gjallë e të vërtetë, duke u nisur nga njeriu i gjallë e i vërtetë. Këtë kontribut dëshiron t’i japë Kisha Evropës: të kujdeset për Zotin e për njeriun, duke u nisur nga kuptimi që na ofron për të dy, Jezu Krishti”.
Në përfundim të Meshës, Ati i Shenjtë u takua me zotin Mariano Rajoy Brey, kryetar i Partisë Popullore, lider i opozitës.
Ishte veprimtaria e fundit në Santiago. Në orën 19.00 Benedikti XVI u nis drejt Barcelonës, ku arriti në orën 21.
Në Barcelonë nesër paradite do të kryesojë Meshën e kushtimit të Kishës e të elterit të Sagrada Familia, ndërsa pasdite do të vizitojë institutin L’Obra Benefico Social të Nen Deu (L’Obra Benefiku Susial Neu Deu), për fëmijë me aftësi të kufizuara fizike, për t’i thënë, më pas Spanjës, mirupafshim në Madrid, për Ditën Botërore të Rinisë!







All the contents on this site are copyrighted ©.