2010-11-05 17:27:04

Santiago i Kompostelës e Barcelona presin Benediktin XVI. Imzot Barrio: vizitë për ta zgjuar Evropën.


(05.11.2010 RV)Ndjehet fort atmosfera e pritjes dhe e gëzimit të jashtëzakonshëm nëpër rrugët e Santiagos së Kompostelës, ku Papa do të arrijë nesër paradite për një vizitë dyditore.
Ati i Shenjtë do të niset në orën 8. 30 nga Roma, për të arritur në kryeqendrën e Galicisë rreth orës 11.30. Këtu do të kremtojë, pasdite, Meshën me rastin e Vitit Jubilar kompostelan, në Plaza de l’Obradoiro.
Në mbrëmje do të niset për në Barcelonë ku, të dielën paradite, do të kryesojë Meshën e kushtimit të Kishës e të elterit të Sagrada Familia, ndërsa pasdite do të vizitojë institutin L’Obra Benefico Social të Nen Deu, për fëmijë me aftësi të kufizuara fizike.

Pavarësisht nga më se 880 kilometrat, që i ndajnë, e nga ndryshimet e ndjeshme të kulturës e të traditës, Santiagon e Kompostelës e Barcelonën në këto orë i lidh një tharm i përbashkët: ai i pritjes së Papës. Era e vjeshtës valëvit flamujtë e Vatikanit e flamujtë katalanë, që stolisin rrugën Rambla, e cila çon në Plaza Catalunya. Të jashtëzakonshme, masat e sigurimit e të shumta kioskat me suvenire për vizitën e Atit të Shenjtë. Por nuk janë kryesore këto shenja të jashtme. Ndërmjet njerëzve ndjehet fort dëshira për t’u takuar me Pasardhësin e Shën Pjetrit i cili edhe një herë, siç u kujton guaska e detit, që spikat në flamurin papnor, bëhet shtegtar për ta përfocuar Kishën në fe e për të theksuar përsëri sa i rëndësishëm është krishterimi për Kontinentin e Vjetër. Banorët e Barcelonës entuziazmohen e krenohen me faktin se Papa të dielën e ardhshme do të flasë jo vetëm në dialektin kastelan, por edhe në atë katalan. E konfirmojnë këtë dy nga 1.800 vullnetarët:

Përgjigje: - Thonë se do të flasë në gjuhën katalane: e ky është çasti që e pres më shumë, sepse për ne katalanët është gjë tejet e rëndësishme që Papa të na flasë në gjuhën tonë, në atë, që ne e konsiderojmë si gjuha jonë.

Përgjigje: - Marrim pjesë me kënaqësi të madhe në këtë ngjarje... e dimë se është eveniment i pashembullt. Në se mund të japim një farë ndihme, këtë e bëjmë vërtet me kënaqësi.

Përmasa e veçantë rajonale, gërshetohet në këto ditë të vizitës, me atë globale, mbikombëtare: Santiago i Kompostelës është prej shekujsh fanar shpirtëror për Kontinentin e Vjetër: vetëm në vitin 2010 është vizituar nga 258 mijë shtegtarë. Qyteti i Galicisë, që ruan varrin e Shën Jakobit të Madh, birit të Xebedeut, e Rruga e Kompostelës, në vitin 1985 u shpallën “Pasuri e njerëzimit”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Barcelonën: tempulli i Sagrada Familia-s, guri i parë i të cilit u vendos në vitin 1882 nga arkitekti i madh katalan Antoni Gaudí, konsiderohet njëzëri si kryevepër e historisë së artit botëror. Kisha, e cila të dielën e ardhshme do të shpallet Bazilikë, Bibël vigane në gur, ndonëse ende e pakryer, vizitohet çdo vit nga më se 2 milionë e gjysëm shtegtarë, mesatarisht nga shtatë mijë e pesëqind vetë në ditë. E madhe edhe pritja e mjeteve të komunikimit që, ndonëse po i kushtojnë vëmendje manifestimeve të rralla të protestës për vizitën e Benediktit XVI, e paraqesin Papën si ‘të dashuruar me Spanjën”, duke nënvizuar edhe lartësinë e tij shpirtërore e intelektuale. Në Santiago të Kompostelës, etapë e parë e shtegtimit të Benediktit XVI, priten 200 mijë shtegtarë: dje, në rrugën që mban emrin e Gjon Palit II, u vendos shtatorja prej bronzi e Benediktit XVI, realizuar nga skulptori Kandido Pazos. E në se kushtet meteorologjike i shqetësojnë organizatorët, kryetari i Bashkisë së Galicisë, Alberto Nuñez Feijo, nuk ka kurrfarë dyshimi: “Me shi a pa shi, Papa për ne do të jetë bekim. Kush e kritikon këtë vizitë, gabohet, vijon kryebashkijaku, Papa është pjesë përbërëse e historisë sonë”.
Në mikrofonin e të dërguarit tonë në Spanjë, Paolo Ondarza, kryeipeshkvi i Santiagos së Kompostelës, imzot Julian Barrio Barrio, flet për emocionet me të cilat dioqeza e tij por e pret Benediktin XVI:

Përgjigje: - Kur e morëm vesh se Papa do të vinte në Santiago, që nga çasti i parë, e shoqëruam sidomos me lutje e mirënjohje, për mirësinë e kujdesin e tij baritor. Pavarësisht nga impenjimet e tij të shumta, e gjeti një ditë për të ardhur në Santiago e për këtë i shprehim mirënjohjen tonë të thellë. Kemi përgatitur katekizëm për fëmijët, për të rinjtë e për të rriturit, duke u kërkuar t’u pëgjigjen këtyre pyetjeve: “Kush është ai që vjen? Pse po vjen? Si duhet ta presim? U kam kërkuar të gjithë besimtarëve të dioqezës sime të luten që ky shtegtim të japë fryte të begata baritore e shpirtërore dhe e kam shpallur 5 nëntorin, ditë agjërimi për këtë ndjet, duke kërkuar edhe që kursimet e këtij agjërimi të përdoren për të ndihmuar nevojtarët dhe Karitasin.

Pyetje: - Pra, mund të themi se të gjithë, nga pak, kanë ndërmarrë nisma, duke nisur nga fëmijët, tek të rriturit...

Përgjigje: - Është një gëzim i madh, një shpresë e madhe për ne e për mbarë kryedioqezën. Kjo është ngjarje e madhe, prandaj të gjithë besimtarët po përpiqen që ta presin sa më mirë Atin e Shenjtë.

Pyetje: - Papa Benedikti XVI vjen për herë të dytë në Spanjë. Ç’do të thotë kjo për spanjollët?

Përgjigje: - Për ne është shtytje për t’i shprehur edhe më shumë mirënjohjen; Papa do të na ndihmojë të jemi besnikë ndaj identitetit tonë të krishterë. Benedikti XVI e njeh mirë situatën tonë e do të na tregojë ç’duhet bërë, për të qenë ata dëshmitarë, për të cilët ka aq shumë nevojë shoqëria jonë.

Pyetje: - Shkëlqesi, Viti Shenjt Kompostelan ka tërhequr deri më sot 8 milionë e 236 mijë shtegtarë. A mund të themi se kjo turmë vigane shtegtarësh bashkohet sot shpirtërisht rreth Papës?

Përgjigje: - Pa tjetër. Ma kanë thënë edhe vetë shtegtarët. Të shumtë ata, që më kanë siguruar se erdhën sivjet edhe pse e dinin që këtu do të shtegtonte Papa. Më kanë thënë edhe: “Ju lutemi t’i thoni Atit të Shenjtë se më 6 nëntor do të jemi shpirtërisht me Shenjtërinë e Tij.

Pyetje: - Shtegtimi në Santiago të Kompostelës është vizitë si në Galici, ashtu edhe, më në përgjithësi, në Spanjë, por ne mund ta zgjërojmë më tej horizontin e ta shikojmë si vizitë që i bëhet mbarë Evropës...

Përgjigje: - Po, mendoj se po. Ati i Shenjtë e njeh shumë mirë realitetin evropian, jo vetëm atë historik, por edhe këtë aktual; njeh mirë edhe rolin që, pa asnjë dyshim, ka pasur Santiago i Kompostelës në qytetërimin evropian. Duke kujtuar fjalët aq të bukura të Gjon Palit II, mendoj se do t’i drejtojë Kontinentit të Vjetër ftesën të rizgjohet...

Pyetje: - Pra është një ditë e vetme, por e ngarkuar me ngjarje e me shtegtarë, që tashmë janë gati për t’u takuar me Papën, pranë varrit të Shën Jakut...

Përgjigje: - Po, shpresojmë të jetë kështu. E shpresojmë edhe që koha të jetë e mirë, sepse në këtë stinë, në Santiago bie vazhdimisht shi . Shpresoj, pra, se këtë vit nuk do të ketë reshje. E, mbi të gjitha, shpresoj që kjo ngjarje e madhe të jetë për të gjithë, rast i përshtatshëm për ta gjallëruar fenë e për ta jetuar këtë ditë, që na kujton se jemi të pranishëm e i përkasinm Kishës, në bashkim me Atin e Shenjtë.
Dëshiroj, në përfundim, t’i ftoj të gjithë ata, që do të jenë të pranishëm fizikisht në Santiago, të na shoqërojnë me lutje, që frytet baritore e shpirtërore të këtij shtegtimi të Atit të Shenjtë, të jenë ata që shpresojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.