2010-11-05 16:14:54

Presidenti amerikan Obama në Azi


(05.11.2010 RV)Pas zgjedhjeve të gjysmës së mandatit në SHBA-të, me të cilat republikanët fituan shumicën në Dhomën e Deputetëve, por jo në Senat, presidenti amerikan Barak Obama u nis sot për një udhëtim 10 ditor në Azi. India, Indonezia, Koreja e Jugut dhe Japonia, ndër etapat e udhëtimit. Që nesër, Obama do të jetë në Mumbai të Indisë, në hotelin Taxh Mahal, teatër i atentateve të përgjakshme të dy vjetëve më parë, të cilat shkaktuan 160 viktima. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të marrë pjesë në G20 e Seulit dhe në mbledhjen Azi-Paqësor të Jokohamës. Por, në qendër të misionit të presidentit amerikan, që nuk parashikon ndonjë etapë në Kinë, janë pikërisht marrëdhëniet me Pekinin. Të dëgjojmë opinionin e pedagogut të historisë së Azisë në Universitetin e Torinos, Mikelguljelmo Torri:
Kina po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm jo vetëm në ekonominë aziatike, por edhe në – të themi – “mbajtjen mbi ujë” të ekonomisë amerikane. Kina është kreditori më i madh i Thesarit amerikan në Azi, duke kapërcyer edhe Japoninë. Kështu, është krijuar një simbiozë ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës, që e bën këtë të fundit një kreditor gjithnjë e më të rëndësishëm për amerikanët, të cilët transferojnë industritë në Kinë. Ka edhe një çështje tjetër: zëvendësimi i mundshëm i dollarit – si monedhë shkëmbimi ndërkombëtar – me një monedhë të re, e cila në të vërtetë, nuk do të qarkullojë, por do të bazohet mbi një grup monedhash të ekonomive më të rëndësishme, duke përfshirë edhe Kinën.







All the contents on this site are copyrighted ©.