2010-11-05 16:14:41

Papa ipeshkvijve brazilianë: thirrjet janë në rënie, por jeta e përkushtuar nuk mund të vdesë, sepse e deshi vetë Krishti.


(05.11.2010 RV)Jeta kushtuar Zotit nuk mund të vdesë në Kishë, sepse ishte vetë Krishti që e zgjodhi për vete këtë mënyrë të jetuari. Jezusi, sa ishte në botë, jetoi i varfër, i pastër, i dëgjueshëm. E pohoi Benedikti XVI në audiencën e paradites së sotme me një grup ipeshkvijsh brazilianë të rajonit Jug II, të cilët i priti në vizitë ad Limina.
Papa është plotësisht i sigurt se rënia e numrit të thirrjeve e plakja e instituteve, nuk janë shenja, që flasin për perëndimin e jetës rregulltare. Nuk tregojnë se heret a vonë kjo mënyrë jetese do të marrë fund në Kishë. Jo! Ajo nuk mund të zhduket kurrë, sepse e ka zanafillën në vetë Zotin, që e zgjodhi për vete këtë mënyrë jetese:
“A vida consagrada nunca poderá…
Jeta e përkushtuar nuk mund të vdesë e as të mungojë kurrë në Kishë: e deshi vetë Jezusi, si pjesë të pazëvendësueshme të Kishës së Tij. Prej këndej, ftesa për të vënë në qendër të vëmendjes impenjimin baritor të thirrjeve për jetë të përkushtuar: në se jeta e rregulltare është në dobi të mbarë Kishës, ka të bëjë me të gjithë, atëhere puna baritore kushtuar thirrjeve për jetë të përkushtuar duhet të jetë impenjim i dorës së parë, nevojë që e ndjejnë të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, shekullarët”.
Ekzistenca e instituteve rregulltare, pra, nuk është në rrezik, por kjo nuk e përjashton reflektimin e thellë mbi mënyrën e propozimit të saj. Të gjithë duhet të përpiqen ditë për ditë të gjejnë format më të përshtatshme për të ndjekur Krishtin në rrugën e këshillave ungjillore.

Benedikti XVI sqaroi edhe lidhjen delikate ndërmjet nevojave baritore të Kishës vendase e veçorive karizmatike të bashkësive rregulltare. E, duke cituar një fragment, shkëputur nga Dokumenti i 1994-ës me titull “Jeta vëllazërore në bashkësi”, pohoi:
“Como a comunidade religiosa não…
Ashtu si bashkësia rregulltare nuk mund të veprojë në mënyrë të pavarur, ndryshe ose, edhe më keq akoma, kundër direktivave e baritorisë së Kishës së veçantë, kështu edhe Kisha e veçantë nuk mund t’i përdorë sipas qejfit a nevojave të veta, bashkësinë rregulltare ose anëtarët e saj”.
Si e sqaroi drejtpeshimin ndërmjet Kishës lokale e institutit rregulltar dhe ripohoi se çdo bashkësi e përbërë nga njerëz të përkushtuar, që ndjekin tradita të lashta apo të reja, e pasuron Kishën, si gjymtyrë e gjallë e saj, Papa u ndal tek një nga problemet më të rëndësishme: ai i risimit të brendshën, që duhet ta kenë në qendër të vëmendjes të gjitha Kongregatat. Përtëritja, pohoi, varet kryesisht nga formimi i anëtarëve:
“A capacidade formativa de um Istituto…
Aftësia formuese e një Instituti, si në fazën fillestare ashtu edhe më pas, është themelore për gjithë procesin e përtëritjes. Në se jeta e përkushtuar është përvetësim i ndjenjave të Krishtit, një rrugë e tillë, sigurisht, do të vijojë gjithë jetën, duke e bërë për vete plotësisht njeriun, që e zgjodhi”.
Benedikti XVI përfundoi duke i ftuar prelatët brazilianë t’i përcjellin bashkësive rregulltare të dioqezës së tyre mirënjohjen e thellë të Papës, i cili i kujton vazhdimisht në lutjet e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.