2010-11-04 18:05:09

Mesazhi i Papës për përurimin e Seminarit të dioqezës së Havanës në Kubë


Vatikan ka shpallur sot mesazhin e Papës Benediktit XVI dërguar Kishës së Kubës me rastin e përurimit dje të seminarit të ri kryedioqezan të Havanës. Ngjarja ka një rëndësi të veçantë edhe për faktin që në ceremoni qenë të pranishëm presidenti i Kubës, Raul Kastro, shumë ministra, mes tyre edhe ministri i Jashtëm e i Kulturës, e drejtues të lartë të zyrës së partisë komuniste për marrëdhëniet me bashkësitë fetare të udhëhequra nga zonja Caridad Diego.
Ndër 300 mysafirët e pranishëm, si përfaqësues i ipeshkvijve katolikë të SHBA-së, ishte kryeipeshkvi i Miamit, imzot Thomas Wenski, e carl Anderson, kalorës suprem i Kalorësve të Kolombos, dy donatorët kryesorë të veprës, ndihma e të cilëve së bashku me atë të Konferencës Ipeshkvnore evropiane, e bënë të mundur ndërtimin e pallatit që do të mund të pranojë mbi njëqind seminaristë.
“Uroj që kjo ngjarje solemne – pohon Papa në telegramin dërguar përmes Sekretarit të Shtetit të Vatikanit Tarçizio Bertone – të mund të jetë shenjë e nxitje për një angazhim të përtërirë e të përforcuar në favor të përgatitjes së vëmendshme njerëzore, shpirtërore e akademike të meshtarëve të ardhshëm”.
Po kështu, Papa “ i fton barinj e besimtarë, edukatorë e seminarista të identifikohen çdo ditë më tepër me ndjenjat e Krishtit, Bariut të Mirë, përmes lutjes së vazhdueshme, impenjimit serioz në studime, dëgjimit të përvujtë të Fjalës së tij Hyjnore, kremtimit të denjë të Sakramenteve e dëshmimit të guximshëm të dashurisë së tyre si dishepujt të vërtet e misionarë të Ungjillit të shpëtimit”.
Ati i Shenjtë, më tutje, në mesazhin e tij drejtuar kardinalit Jaime Ortega, kryeipeshkvit të Havanës, shpreh mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që me “kontributin e tyre bujar” e bënë të mundur këtë Seminar, ndërtuar pak kilometra nga qyteti e guri i parë i të cilit qe bekuar nga Gjon Pali II gjatë vizitës së tij historike nga 21 deri më 26 janar të vitit 1998.







All the contents on this site are copyrighted ©.