2010-11-04 18:27:20

Fjala e Presidentit të Shqipërisë, Topi në simpoziumin kushtuar harmonisë fetare në Vend.


Konferenca “Kontributi i harmonisë nderfetare në integrimin e Shqiperisë” mbajtur në Tiranë
2 nëntor 2010

Të nderuar përfaqësues të Komuniteteve Fetare Shqiptare,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Zonja e Zotërinj……….
Falenderoj organizatoret per këtë nder të vecantë që më beni që si President i Republikes të ripohoj një nga vlerat më fisnike të këtij populli, harmoninë fetare. Me këtë rast do të doja t’ju pershendes të gjithëve ju që keni treguar interes për të bashkëndare, kontribuar dhe degjuar mbi temen shumë të cmuar dhe të vleresuar të forcimit të harmonise fetare, si një prej elementeve identitarë të jetes së vendit dhe një mbeshtetje thelbesore në procesin e integrimit europian.
Cdo shtet në familjen europiane ka historinë e tij me fenë, të cilen e ka realizuar nepermjet proceseve kulturor, gjë që e gjen shprehjen e vet me iluminizmin dhe proceseve politik qe kulmojnë me revolucionin francez, i cili sanksionoi ndarjen e fese nga shteti, për të ardhur në stadin e lartë të shtetit demokratik laik që karakterizon Europen e sotme. Është kjo arsyeja që BE i mirepret besimet e ndryshme si të ligjshme dhe të barabarta në harmoni me karten e të drejtave themelore të njeriut dhe me parimet universale të demokracise si kontribuese të drejtëperdrejta për një jete më të mire dhe në paqe.
Shteti Shqiptar, sic e kam theksuar edhe në të tjera raste, lindi mirfilli si shtet laik, si një formulë efikase që përmblidhte brenda vetes interesat e të gjithë shqiptarve dhe mentalitetin e tyre për bashkëjetesë dhe harmoni. Ne e dimë që shteti laik dhe Laicizmi janë kusht themelor i harmonisë nderfetare në një shoqëri multifetare. Në këtë kontekst, Shqipëria lindi Europiane.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Shqiptari, gjatë gjithë historisë së tij, ka dy gjëra të shtrenjta e të shenjta - Zotin dhe Atdheun - aq sa Fishta shpesh do t’ia kujtonte të huajve se shqiptarët “Për Zot e troje të veta nuk u dhimbet gjaja e jeta”. Për kombin tonë gjatë historisë, shumë gjëra mund te kenë ndryshuar, por besimi tek Zoti dhe dashuria për Atdheun kanë mbetur të pandryshueshme.
Ndërgjegjia fetare nuk u perpoq të asimilonte ndërgjegjen kombëtare e as karakterin e tij etnik. Dhe kjo cilësi u ka rënë në sy mëndjeve më të iluminuara të Europes. Xhorxh Bajroni do të pohonte se “ unë i dua shqiptaret... Feja nuk i bën ata të ndryshojnë zakonet e tyre”, Ndërsa studiuesi Thomas Arnold shprehet se “Krenaria kombëtare e shqiptarëve është e madhe. Kur dikush pyet një shqiptar se c’është para se të përgjigjet nëse është mysliman apo i krishterë, ai do të pergjigjet së është shqiptar”.
Besimin tek Zoti, Shqiptarët e përjetuan në forma të ndryshme, duke iu lutur Atij sipas riteve specifike e tradicionale të gjithëseicilit, por të vetëdijshëm që po i luteshin të njëjtit Zot të përbashkët.
Këtë fakt e kanë ushqyer me predikimet e tyre ndaj besimtarëve, udhëheqesit shpirtëror të komuniteteve fetare, duke mos lënë shteg për keqkuptime dhe interpretime që çojnë në konflikte. Kjo tregon se paqja kurrë nuk mund të rrezikohet nga numri i besimeve, kur fetë predikojnë dhe interpretojnë drejt mësimet e Bibles dhe Kuranit.
Mësime, që në origjinal nuk rrezatojnë asgjë tjetër veç paqe, bashkëjetesë, dashuri e respekt për tjetrin, humanizëm e përkujdesje ndaj nevojtarëve, elemente këto të domosdoshme për një jetë të qetë të njerëzve mbi tokë.
Për komunitetet tona fetare Shqipëria ka qenë trualli dhe çatia nën të cilën kanë jetuar dhe janë lutur sëbashku. Në shekuj ata kanë bashkuar përpjekjet e zemrat që të bëjnë shtet, ta mbrojnë atë nga rreziqet dhe ta fusin në rrugën e zhvillimit dhe të progresit. Udhëheqësit e besimeve fetare në Shqipëri, kanë patur dhe vazhdojnë të kenë një kontribut të shkëlqyer, duke u angazhuar personalisht dhe sëbashku, në të gjitha etapat më të vështira të historisë së vendit tonë.
Nëse shohim në retrospektive, vëmë re se Rilindja Kombëtare, një nga shperthimet më të shndritshme të gjenisë kombëtare është një shembull se identiteti kombetar dhe parimet për një Shqiperi të perparuar e të orientuar nga Perendimi, janë bashkëndarë prej tyre pa asnjë dallim feje dhe krahine. “Dielli lind nga perendon” shkruante Naimi ynë.
Te nderuar të pranishem,
At’herë, kur para Shqiperisë dhe shqipëtarve shtrohej nevoja historike e njëhsimit të alfabeteve dhe kthimit tek rrënjët perëndimore, bashkë me intelektualet më në zë, ishin edhe misionarët dhe prijësit fetarë që udhëhoqën proçesin e njëhsimit të alfabetit me germa latine, deri në organizimin e Kongresit te Manastirit, që e finalizoi këtë rrugëtim.
Kështu njësisë kombëtare i përgjigjej njësia gjuhësore. Xhamitë, teqetë e kishat, në momente te rëndësishme historike, janë shndërruar në vatra të gjuhës shqipe të shkruar e predikuar, në tempuj të Zotit e të ndjenjës kombëtare.
Një nga ngjarjet më kulmore historike pas epopesë legjendare të Skenderbeut, është Pavarsia e fituar në Nentor të vitit 1912 dhe pa asnjë padyshim mund të themi që, kontributi i përbashkët i komuniteteve fetare ishte i padiskutueshëm dhe shumë i frytshëm.
Në përbërjen e delegacioneve që bënin lobim nëpër kanceleritë Europiane, tek udhëheqësit e krahinave që mobilizonin popullin për rezistencë, në aktin final te firmosjes së Pavarësisë, në përbërjen e qeverisë së parë shqiptare, gjejmë shumë klerikë të feve të ndyshme, dhe ne këtë kuptim është e lehtë për tu bindur se çfarë kontributi kanë dhënë komunitetet fetare ne konsolidimin e Shtetit tonë të pavarur.
Në periudhën e instalimit të njërës prej diktaturavë më të egra që ka njohur historia moderne e Europës, të një diktature ateiste e dhunuese ndaj besimeve, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, misionarët e veprimtarët e fesë, dhanë kontributin e tyre duke ndërgjegjësuar popullin për rrezikun që i kanosej Vendit.
Sëbashku u lidhën në akte sacrifice e rezistence, sepse ata ishin të vetëdijshem se cili do të ishte produkti i komunizmit. Në altarin sublim të vuajtjes dhe martirizimit, ata u bashkuan si bij të një Zoti të vetëm.
Sëbashku perballuan kalvarin e vuaitjeve për 46 vjet. Sëbashku dolën para skuadrave të pushkatimit e sëbashku kaluan tmerret e ferrit të burgjeve në emër të Zotit dhe të Shqipërisë. Ata që jetuan për të treguar, ata që mbetën gjallë pas viteve 90, u gjendën përsëri sëbashku duke i predikuar popullit besimin e vërtetë, harmoninë, respektin për të ndryshmin, vlerat tradicionale shqiptare, rrugën e progresit e të integrimit.
Gjatë viteve te tranzicionit, kur pati edhe trauma sociale edhe kriza që vunë në provë mbijetësën e shtetit dhe institucioneve demokratike, i kemi parë përfaqësuesit e komuniteteve fetare krah për krah, duke i shndërruar njerëzit e traumatizuar në kolona të paqes sociale.
Kjo tregon që harmonia fetare nuk është një dhuratë që dikush ia ka bërë këtij Vendi, por është përpjekje shekullore e popullit tonë për të qenë të bashkuar rreth Shqiperisë dhe shqiptarizmës. Ndaj, në ruajtje të përpjekjeve të brezave të kaluar, brezi ynë dhe brezat e ardhshëm kanë detyrimin që të jenë të impenjuar për t’i mbyllur rrugën dhe paralizuar me ligj e reagim shoqëror çdo veprimtari që bën të kundërtën, duke synuar dëmtimin e kësaj pasurie shekullore.
Unë mendoj që institucionet e pergatitjes së klerikve në Shqipëri, duhet të kenë si lëndë bazë eksperiencën, traditën dhe mjeshtrinë e të parëve në predikimin dhe mësimin e fesë, e cila ka dhënë prova në shekuj, që i ruan shqiptarët të bashkuar në ushtrimin e besimeve të tyre, në respekt dhe në harmoni të plotë me njëri-tjetrin.
Të nderuar miq,
Sot Shqipëria ndodhet, ashtu siç thotë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, në Oborrin e jashtëm të shtëpisë evropiane dhe presim të na hapen dyert që të hyjmë brenda.
Sigurisht, asaj shtëpie të madhe, secili synon t’i ofrojë dicka sa më të bukur nga vend i tij. Une jam shumë i lumtur që dhe ne Shqiptarët, kemi një gjë shpirtërore kaq të veçantë e përfaqësuese të qytetërimit tonë, që mund ta bashkëndajmë me familjen tonë europiane - modelin e të jetuarit në harmoni të plotë si vëllezër mes besimeve dhe feve të ndryshme.
Jam thellësisht i bindur, që pa këto standarte harmonie, proçesi i integrimit nuk do të merrte ketë drejtim, prandaj kuntributi i saj është aq domethënës, sa për pak javë ne do të lëvizim pa viza pa pengesa psikologjike e fizike, me detyrimin që kudo që të jemi të ngrihemi në lartësinë e vlerave më të mira shqiptare.
Faleminderit.
Bamir Topi







All the contents on this site are copyrighted ©.