2010-11-04 18:08:24

Drejt Santiagos të Kompostelës dhe Barcelonës: vizita e Papës në Obra Benefico Social të Nen Déu.


Në Spanjë e pikërisht në Santiago të Kompostelës dhe në Barcelonë, po pritet me padurim vizita e Atit të Shenjtë Benediktit XVI, më 6 dhe 7 nëntorin e ardhshëm. Janë në pritje veçanërisht të rinjtë e institutit “Obra Benefico Social de Nen Deu” në Barcelonë, ku Papa do të shkojë për vizitë të shtunën pasdite. Është ky një spital themeluar në vitin 1892 nga e Lumja Karmen del Ninjo Jezus Gonzales Ramos, themeluese e motrave françeskane të Zemrave të Shenjta. Fillimisht ky spital u pat ndërtuar për t’iu dhënë strehë dhe asistencë fëmijëve të familjeve në nevojë, por tani ka 250 pacientë, nga 3-25 vjeç, që vuajnë nga sindroma e Daunit.
Këtu Ati i Shenjtë do të takohet me të sëmurët, me familjarët e tyre, me rregulltaret dhe veprimtarët. Më pas Papa do të bekojë gurin e parë të ndërtesës së re që do të mbajë emrin e tij, pra “Benedikti XVI”.
Në mikrofonin tonë flet një nga vullnetarët e “Obra Nen Deu”, Doktor Rafael Kalxado:

Përgjigje: Ne jemi një kolegj, - pronë e Kishës, - për fëmijët, për të rinjtë të paaftë. Veprimtaria jonë filloi në vitin 1892, kështu që tashti kemi më se 100 vjet jetë. Personeli ynë - profesorë, asistentë - përbëhet nga 146 vetë dhe kemi 122 të rinj. Japim edhe asistencë shëndetësore dhe i jemi përkushtuar shumë shëndetit fizik, sikurse edhe edukimit fetar dhe mendor të këtyre të rinjve. Për institutin kujdesen Motrat e Zemrës Shenjtë të Barcelonës.

Pyetje: Doktor Kalxado, të punosh në një strukturë për fëmijët e paaftë do të thotë t’iu bëhesh krah atyre familjeve që i kanë thënë “po” jetës, ndonëse ajo ka sjellë me vete jo pak vështirësi për këto familje. Pra, është një mbështetje për jetën e re që nis, pavarësisht nëse fëmija është apo jo 100% i shëndetshëm.

Përgjigje: Pikërisht! Të gjithë këta fëmijë e të rinj që janë këtu përfaqësojnë shtresën më të dobët të shoqërisë, edhe nga këndvështrimi ekonomik. Ne kemi mundësinë, edhe nëpërmjet qeverisë, t’i ndihmojmë këto familje dhe këta të rinj që nuk kanë asgjë. Të gjithë ne, bashkë edhe me familjet që janë këtu, duam t’i tregojmë Papës vlerësimin tonë për gatishmërinë dhe dashurinë që shfaq ai për familjen. Dhe kjo, për ne është gjëja më e rëndësishme. Ajo çka ne iu kushtojmë këtyre fëmijëve në institutin tonë nuk është vetëm vëmendja për ta, por edhe për familjet e tyne. Shumë familje të këtyre të rinjve janë katolike, ka të tjera që nuk janë, por për ne është njëlloj, sepse bëhet fjalë për familje që e kanë dashur fëmijën, anipse të sëmurë [dhe nuk e kanë pranuar abortin].

Pyetje: Si janë përgatitur fëmijët e institutit tuaj “Obra Nen Deu” për takimin me Benediktin XVI?

Përgjigje: Ne na erdhi ky lajm në një kohë, kur të gjithë fëmijt tanë gjendeshin me pushime. Ia përcollëm këtë lajm të gjitha familjeve dhe ato u grumbulluan që të gjitha këtu, duke treguar një gëzim të papërshkrueshëm. Të gjithë pyesnin: “Çfarë mund të bëjmë?”, edhe për shkak se ne jemi një institucion bamirësie dhe nuk kemi edhe aq shumë fonde. Kështu që të gjithë të rinjtë thanë kush do të rregullojë lulishten, kush do të përgatisë kishën etj....Treguan, pra, një vullnet tepër të madh por dhe gëzim të papërshkrueshëm.

Pyetje: Pra, po pritet me ankth e padurim kjo ditë....

Përgjigje: Po, ka shumë emocion. Kur kard. Bertone foli me mua, më pyeti nëse këta fëmijë mund të këndojnë dhe unë iu përgjigja se po, ashtu si dinë. Kështu që kemi përgatitur edhe ne një këngë e cila është tepër e dashur për Papën. Është një këngë gjermane që ne e kemi përkthyer në të folmen katalane. Kështu, pra, këta të rinj, bashkë me profesorët e tyre, të cilët do t’iu bijnë kitarrave, do të këndojnë përpara Papës dhe do t’i japin edhe disa dhurata të vogla, që i kanë bërë me duart e veta në laboratorin tonë.

Pyetje: Vizita e Papës pranë institutit tuaj do të vërë në pah një punë të heshtur, që duket pak, por që është themelore për Kishën në qytetin e Barcelonës...

Përgjigje: Për ne, kjo është thjesht mirënjohje. Tani e gjithë bota e sheh se Kisha në Barcelonë zhvillon një punë të mrekullueshme për krejt shoqërinë. Ajo çka bëhet këtu është vepër e Kishës!







All the contents on this site are copyrighted ©.