2010-11-04 15:26:49

Benedikti XVI mbi shën Karl Boromeun: reformoi Kishën, duke filluar nga jeta e tij


(04.11.2010 RV)Kisha Katolike kremtoi sot festën e shën Karl Borromeut. Papa Benedikti XVI i dërgoi kryeipeshkvit të Milanos, kardinalit Dionigji Tetamanci, një mesazh për të përkujtuar 400-vjetorin e kanonizimit të shenjtit.
Epoka në të cilën jetoi shën Karl Borromeu, lindur më 1518 e shpallur shenjt më 1610, ishte shumë delikate për krishterimin. Të shumta ishin çrregullimet, gabimet dhe strukturat, që duheshin rinovuar. Shën Karli – shkruan Papa – punoi pikërisht për reformimin e thellë të Kishës, duke filluar nga jeta e vet. “Në kohë të errësuara nga sprovat e shumta për bashkësinë e krishterë – vëren Benedikti XVI – me ndarje e konfuzione doktrinale, me mjegullimin e fesë e të zakoneve e me shembullin negativ të disa meshtarëve, Karl Borromeu nuk u kufizua vetëm në dënimin e gjendjes, as thjesht në ftesën drejtuar të tjerëve për të ndryshuar jetën, por e filloi nga vetvetja. Jeta e tij u mbush me lutje, pendesë e përkushtim plot dashuri për popullin e vet”.
Në çdo epokë – shton më pas Papa – kërkesa kryesore e Kishës është që çdo anëtar i saj të kthehet në rrugën e Zotit. Edhe në kohën tonë nuk mungojnë vuajtjet e sprovat e bashkësia kishtare ka nevojë të pastrohet e të reformohet, thekson Benedikti XVI. “Shembulli i shën Karlit – shkruan Ati i Shenjtë – duhet të na nxisë të fillojmë gjithnjë nga impenjimi serioz për kthimin personal e komunitar, për shndërrimin e zemrave, duke besuar me forcë në fuqinë e lutjes e të pendesës”.
Duke kujtuar më pas se Eukaristia dhe i Kryqëzuari e bënë shën Karl Borromeun të kuptojë dashurinë e bamirësinë e Krishtit, Benedikti XVI nënvizon rëndësinë e pjesëmarrjes në Meshë e në Sakramente. Figura e Shën Karlit, i cili iu përgjigj thirrjes së Zotit në moshën 24 vjeçare, është shembull edhe për të rinjtë. Duke e ndjekur, përfundon Papa, të rinjtë mund ta kthejnë rininë e tyre në ofertë për Krishtin e vëllezërit dhe ta bazojnë jetën mbi Zotin e Ungjillin.







All the contents on this site are copyrighted ©.