2010-11-04 10:59:25

20 vjetori i Meshës në Shkodër që shënoi rifitimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri


Më 4 nëntor, Kisha katolike në Shqipëri e Kryeipeshkëvija e Shkodrës përkujtojnë 20 vjetorin e kremtimit të Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrmajit të qytetit nga dom Simon Jubani, që shënoi rënien e regjimit të diktaturës ateiste komuniste dhe rifitimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri.
Shkodranëve u takon merita e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. Pas dekadash të tëra të ndalimit të rrëfimit të fesë në Shqipëri nga regjimi ateist e komunist, dom Simon Jubani, meshtar katolikë para 20 vjetësh kremtoi meshën e parë në Shkodër duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste e bërë të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën, fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë e vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen. Mesha e kremtuar nga dom Simoni hodhi themelet e lirisë e të demokracisë në Shqipëri pas dimrit të egër e të gjatë të imponuar nga komunizmi.
Prifti shkodran dom Simon Jubani njihet si një nga njerëzit e meshtarët shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgje komuniste dhe që ka qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve. Kështu mund të pohojmë se kremtimi e Meshës së parë më 4 nëntor 1990 në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtëror hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë. Dom Simon Jubani u bë kështu nismëtari i rihapjes së Kishave e Xhamive në Shqipëri kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar.
Kleri e Kisha Katolike u bënë edhe një herë shkëndija që rifitoi lirinë e rivendosi demokracinë në Shqipëri. Në 20 vjetorin e kësaj ngjarje madhore, madje historike të dëgjojmë intervisten me dom Simon Jubanin......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.