2010-11-03 16:18:16

Selia e Shenjtë OKB-së: t’u jepet fund diskriminimeve dhe dhunës kundër të krishterëve


(03.11.2010 RV)Pas sulmit brutal kundër një kishe katolike në Bagdad, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, kryeipeshkvi Frensis Çulikat iu drejtua komitetit të tretë të Asamblesë së përgjithshme mbi temën e diskriminimit racor dhe të intolerancës fetare. Kryeipeshkvi shprehu dhimbjen e thellë për tragjedinë e Irakut, sidomos sepse, duke qenë nunc apostolik në Irak e në Jordani nga viti 2006 deri pak kohë më parë, i njihte personalisht disa nga viktimat.
Shumë njerëzve në botë u mohohet deri liria për t’u lutur në bashkësi, denoncoi imzot Çulikat. Janë burra, gra e fëmijë, të cilëve nuk u lejohet ta kërkojnë Zotin e madje, ndëshkohen me pasoja të rënda fizike e ligjore. Duke kujtuar se asnjë kulturë apo vend nuk është i imunizuar nga ksenofobia e nga urrejtja kundër fesë, delegacioni i Selisë së Shenjtë shprehu keqardhje për faktin se Relatori i veçantë i OKB-së për argumentin në fjalë nuk përmendi aspak fatin e atyre të krishterëve në botë, që largohen me forcë nga shtëpitë e tyre, që torturohen, burgosen, vriten ose detyrohen të ndryshojnë fenë.
Kryeipeshkvi Çulikat i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të mos e lerë mënjanë këtë situatë, që kërkon vëmendjen urgjente të krerëve kombëtarë e ndërkombëtarë, për të mbrojtur të drejtën e lirisë fetare të atyre individëve dhe të atyre bashkësive. Shpresa në përparimin e njerëzimit, nënvizoi Vëzhguesi i Vatikanit, nuk mund të plotësohet nëse nuk do t’u jepet fund këtyre abuzimeve. “Duhet të marrin fund e duhet të marrin fund tani!” – theksoi me forcë imzot Çulikat.
Për zgjidhjen e problemit, vazhdoi kryeipeshkvi, nuk mjafton vetëm të dënohet kush e “fyen fenë”, siç parashikohet në ligjet e miratuara në disa vende. Këto ligje, denoncoi imzot Çulikat, shpesh janë përdorur kundër besimtarëve të një feje, në favor të fesë mbizotëruese, siç ka ndodhur në disa vende me shumicë myslimane. Selia e Shenjtë mbështet të gjitha ato nisma e përpjekje, që kanë si synim të luftojnë kundër diskriminimit e dhunës, pa cënuar lirinë e shprehjes fetare. Vëzhguesi i Vatikanit foli edhe për rrezikun e identifikimit të racës me fenë, duke tërhequr vëmendjen mbi diskriminimin e emigrantëve. Duke cituar fjalët e Papës në Engjëllin e Tënzot të 1 nëntorit, imzot Frensis Çulikat bëri thirrje të përtërihen përpjekjet për të ndërtuar një botë në mirëkuptim e respekt të ndërsjelltë.







All the contents on this site are copyrighted ©.