2010-11-03 16:08:55

Në audiencën e përgjithshme, kushtuar Margeritë d’Uë, Papa kërkon lutje për shtegtimin e tij të afërt në Spanjë.


(03.11.2010 RV)“Lutuni me gjithë zemër”, u kërkoi sot paradite Benedikti XVI besimtarëve të mbledhur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, për audiencën e përgjithshme, duke pasur parasysh shtegtimin apostolik që do të bëjë këtë fundjave në Spanjë. Më pas, thirrja e ngutshme për të pastruar ndërgjegjet nga plehrat.
Lutuni për mua, u tha Papa shtegtarëve të gjuhës spanjolle, në prag të nisjes, të shtunën e ardhshme, për në Santiago të Kompostelës, ku do të bashkohet me besimtarët tek këmbët e Shën Jakobit Apostull, në këtë vit jubilar, që i është kushtuar. Më pas do të vijoj shtegtimin drejt Barcelonës, shtoi Benedikti XVI, ku do të kem gëzimin të shuguroj tempullin mahnitës të Sagrada Familia, vepër e arkitektit gjenial Antonio Gaudì, 128 vjet pas ngritjes së kantierit vigan, ende në aktivitet:
“Voy como testigo de Cristo Resucitado...
Shkoj si dëshmitar i Krishtit të Ngjallur, sqaroi Benedikti XVI, me dëshirën për t’ua çuar të gjithëve Fjalën e Tij, në të cilën mund të takojnë dritën, që do t’i ndriçojë në përpjekjen për të jetuar me dinjitet e shpresë e për të ndërtuar, kështu, një botë më të mirë”.
Gjatë katekizmit, Papa u ndal tek figura e Margeritë d’Uë, mistike e shekullit XIII, bijë e familjes Uë, një nga familjet më të lashta e më fisnike lioneze, grua e shenjtë dhe e urtë, tejet e kulturuar, e dalluar sidomos, për zgjuarësi të jashtëzakonshme. Shkruante e lexonte lirisht jo vetëm gjuhën latine, sunduese në kulturën e kohës, por edhe atë të Provansës, që pak kush dinte ta shkruante. Kjo grua, deri sa vdiq, më 1310, qe eprore e Çertozës së saj. Margerita arriti ta shqyrtonte me intutitë, misterin e pashqyrtueshëm të Zotit, por duke pranuar edhe kufizimet e mendjes njerëzore, për ta kuptuar plotësisht e të gjuhës njerëzore, për ta shprehur:
Margerita d’Uë na fton ta meditojmë çdo ditë jetën plot dhimbje e dashuri të Jezusit e edhe atë të Nënës së Tij, Marisë. Këtu duhet ta gjejmë shpresën tonë, këtu, kuptimin e jetës sonë. Nga kundrimi i dashurisë së Krishtit për ne, lindin forca e gëzimi për t’iu përgjigjur me të njëjtën dashuri, duke e vënë gjithë jetën në shërbim të Zotit e të të afërmit”.
Më pas, ftesa për të ecur në gjurmët e Margeritës, duke ia hapur portat Krishtit, që të hyjë lirisht në shpirtin tonë, në ndërgjegjen tonë, ta pastrojë, ta ndrisë e t’i krijojë mundësinë të kuptojë ç’është vërtetë e mirë e ç’është e keqe:
Plehrat nuk janë vetëm në rrugët e ndryshme të botës. Ka shumë plehra edhe në ndërgjegjet tona e në shpirtrat tanë. E vetëm drita e Zotit, forca e dashuria e tij mund të na pastrojë, të na tregojë udhën e drejtë”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI iu drejtua në mënyrë të posaçme delegacionit hebraik Anti-Defamation Legue dhe përfaqësuesve të bashkësisë hebraike e katolike të Pitsburgut.
Së fundi, ftesa drejtuar të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve, që të reflektojnë edhe një herë për kuptimin e vërtetë të jetës njerëzore, sidomos këto ditë, pas kremtimit të Solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve e Përkujtimit të të vdekurve. Papa Racinger kujtoi edhe festën e Shën Karl Borromeos, që Kisha katolike do ta përkujtojë nesër, katër shekuj pas kanonizimit:
“Këto ditë reflektimi e lutjesh janë për juve, të dashur të rinj, ftesë që të imitoni heroizmin e shenjtorëve, të cilët e shkrinë gjithë jetën në shërbim të Zotit e të të afërmit. Janë ditë ngushëllimi për juve, të dashur të sëmurë, që e shoqëroni Krishtin në mundime. Bëhen rast i përshtashëm për juve, të dashur bashkëshortë të rinj, për ta kuptuar gjithnjë më mirë se jeni të thirrur ta dëshmoni, me besnikërinë tuaj të anasjelltë, dashurinë e pakufishme me të cilën Zoti e rrethon çdo njeri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.