2010-11-03 16:36:02

Lutja e Benediktit XVI në Kriptën e Vatikanit, mbi varret e Papëve.


(03.11.2010 RV)Lutje private për shpirtin e Papëve, që i paraprinë, e për të gjithë besimtarët e vdekur. Sipas traditës, Benedikti XVI e kaloi një pjesë të mirë të pasdites së djeshme në Kriptën e Bazilikës së Vatikanit.
Në gjunjë para varreve, ku bëjnë gjumin e mbramë ata, që i paraprinë në drejtimin e Kishës universale, por me zemrën plot me popullin e Zotit, të përhapur në mbarë botën, nga fëmija i posapagëzuar, te njeriu që numëron çastet e fundme të shtegtimit mbi këtë tokë. Kështu e panë dje besimtarët Atin e Shenjtë. Përmes filigranit të ritit të shkurtër në Kriptën e Vatikanit, u tejdukën ndjenjat e Benediktit XVI, në ditën kur mbarë bashkësia universale katolike përkujtonte të vdekurit:
“Në këtë Kriptë të Vatikanit, ia besojmë mëshirës së Atit qiellor ata që pushojnë në paqe, në pritje të ringjalljes së korpit. Posaçërisht Papën Gjon Pali II e Papët, të cilët kryen shërbimin e barinjve të Kishës universale, duke u lutur që të jenë pjesëmarrës në liturgjinë e amshuar të qiellit”.
Lutja e besimtarëve, pas leximit të Psalmit, përfshiu të gjitha ndjetet e zemrës së Papës. Lutje drejtuar Zotit që ta mbrojë Kishën; t’ua rizgjojë besimtarëve dëshirën për të ecur në rrugën e shenjtërisë; ta ndihmojë atë, që është larg Zotit, për kthimin e zemrës; t’i edukojë të rinjtë me dëshirën për dhurimin plot gëzim të vetvetes; t’i japë forcë e shpresë të varfërve e të vuajturve. E kështu, deri në lutjen e fundit, që mendimi i ringjalljes t’i shoqërojë njerëzit deri në frymën e mbrame, e mëshira hyjnore t’i përdëllejë të gjithë të vdekurit, që kërkojnë me afsh dritën e fytyrës së Zotit. Një lutje e plotë, gati-gati një ‘Urbi et Orbi’, drejtuar “Romës e Botës” së mbidheshme e të nëndheshme, e fshehur në rrugëzat poshtë Bazilikës, mes radhëve të gjata të varreve monumentale. Lutje drejtuar Romës e Botës, fare pranë varrit të Shën Pjetrit, e përfunduar me një thirrje, që shpreh thelbin e besimit të krishterë:
“... Dëgjoje lutjen, që po të drejtojmë Ty, për të gjithë ata, të cilët e lanë këtë botë. Hapi krahët e mëshirës sate e pranoi në shoqërinë e lumnueshme të Jeruzalemit shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.