2010-11-03 16:37:27

Këshilli ekumenik i Kishave: sulmi antikristian në Irak është akt kriminal terrori


(03.11.2010 RV)“Këshilli ekumenik i Kishave dënon me forcë aktin kriminal të terrorit, që u krye të dielën në kishën Saidat al-Najat të Bagdadit”. Kështu deklaron pastori Olav Fykse Tveit, sekretar i përgjithshëm i organizmit, duke shprehur indinjatën dhe shqetësimin për masakrimin e grave, burrave e fëmijëve në kishën siro-katolike irakiane. Tveit vë në dukje solidaritetin e Këshillit për ata që kanë humbur të dashurit dhe siguron lutjet e anëtarëve për shërimin e shpejtë të të plagosurve. Këshilli ekumenik i Kishave, thekson sekretari i tij, është thellësisht i shqetësuar për gjendjen e të krishterëve në Irak, u kërkon autoriteteve të vendit t’i çojnë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë të krishterët. Tveit e bëri këtë deklaratë para se të merrte pjesë në një konsultë islamo-kristiane, e cila vazhdon deri nesër në Gjenevë, me titull: “Të shndërrojmë bashkësitë: të krishterë e myslimanë ndërtojnë një të ardhme të përbashkët”. Kujtojmë se Këshilli ekumenik i Kishave përmbledh 349 kisha protestante, ortodokse dhe anglikane dhe përfaqëson 560 milion të krishterë në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.