2010-11-03 13:50:10

Beograd: policia kërkon Mlladiqin dhe Haxhiqin.


(02.11.2010 RV)Në Beograd policia zhvilloi sot paradite një operacion të gjerë për kapjen e Ratko Mlladiqit, ish- gjeneral i serbëve të Bosnjës dënuar nga Gjykata e Lartë Ndërkombëtare e Hagës për krime lufte. Siç lajmëroi radioja B92, e cila citoi prokurorinë e Beogradit, kërkimet kishin të bënin me një shtëpi dhe restorantin “Bajka” në lagjen Banovo Bërdo. Në këtë restorant, gjithnjë sipas radios B92, dy vetë u arrestuan dhe po merren në pyetje. Bastisje dhe kontrolle u kryen edhe në një qendër turizmi bujqësor afër Aranxhelovacit, 60 km në jug të Beogradit.
Ditët e kaluara në fakt, qeveria serbe e pati rritur shpërblimin për ata që do të japin informata për kapjen e Mlladiqit nga një në dhjetë milionë euro. Bashkë me Mlladiqin kërkohet edhe Goran Haxhiq, ish-kryetar i serbëve të Kroacisë akuzuar për genocid dhe krime lufte. Edhe për të qeveria e rriti shpërblimin nga 250 mijë në një milionë euro.
Vetë presidenti Boris Tadiq gjatë intervistave të dhëna kohët e fundit ka deklaruar se ka vullnet politik për kapjen e Mlladiqit dhe të Haxhiqit, në një kohë kur Bashkimi Evropian i ka vënë Serbisë si kusht për hyrjen në Evropë, pikërisht dorëzimin e kriminelave të luftës civile në ish-Jugosllavi.







All the contents on this site are copyrighted ©.