2010-11-02 15:28:46

Mons. Frendo: Paqja e pajtimi janë elemente fetare kyçe për kohët tona


Ja fjalimi që ipeshkvi ndihmës i kryeipeshkvisë Tiranë-Durrës mbajti në simpoziumin “Kontributi i Harmonisë Ndërfetare në Integrimin e Shqipërisë” mbajtur në Tiranë më 2 nëntor.RealAudioMP3
MARRËDHËNIET NDËRFETARE DHE TOLERANCA FETARE NË SHQIPËRI
Mons. George Frendo
Në vitet 90 Jacques Delors fliste për nevojën “për t’i dhënë një shpirt Evropës”. Në fillimin e mijëvjeçarit të tretë Nikolas Sarkozy, atëherë ministër i brendshëm i Francës, në librin e tij interesant Republika, fetë, shpresa fliste për fenë si ajo që ushqen njeriun me shpresën shpirtërore që shteti nuk mund ta japë. Kështu të dy kanë shprehur atë dëshirë natyrore që është në çdo njeri për Zotin. As antiteizmi militant i Enver Hoxhës nuk ia doli mbanë për ta çrrënjosur këtë dëshirë.
Vërtet, njeriu nuk mund ta mohojë Zotin pa mohuar edhe vetveten. Besimet janë mënyra si shprehet marrëdhënia e njeriut me Zotin nëpërmjet lutjes në bashkësi apo asaj private, agjërimit, dhe riteve të ndryshme. Emile Durkheim, që me të drejtë konsiderohet si ati i sociologjisë së religjionit, ka thene se religjioni i institucionalizuar gjendet gjithmonë mes institucioneve kryesorë të çdo shoqërie.
Në këtë fjalim të shkurtër do përpiqem t’u përgjigjem dy pyetjeve. E para është: a është e vërtetë se besimet e ndryshme janë shkaku i shumë konflikteve dhe mostolerances mes popujve? E dyta është: për çfarë arsyeje Shqipëria me të drejtë krenohet për marrëdhëniet e mira mes besimeve ta ndryshme?
A. BESIMET DHE TOLERANCA
Në vitin 1971 në një këngë që shpejt u bë shumë popullore, Imagine, John Lennon ëndërronte për një botë ku, të liruar nga çdo religjion, njerëzit do të jetojnë në paqe: Imagine there’s ... no religion... Imagine all the people living life in peace”. A është e vërtetë se zhdukja e besimeve do të hapë rrugën për nje shoqëri më paqesore? Absolutisht se jo!
Çdo besim i vërtetë nuk kënaqet me ritet fetare, por rregullon gjithashtu sjelljen morale te besimtarëve në përputhje me besimin e tyre në Zotin krijuesin e të gjithëve. Thashë, dhe theksoj, “besim i vërtetë”. Gordon Allport, shkrimtar i famshëm për psikologjinë e religjionit, dallon besimtarin e pjekur dhe besimtarin e papjekur. Besimtari i pjekur është ai që i shërben Zotit, ndërsa besimtari i papjekur është ai që e përdor Zotin. Sepse, si do të them më poshtë, është shumë e mundshme që besimtari, në vend që t’i shërbejë Zotit, të përfitojë nga religjioni për qëllime krejt në kundërshtim me vetë besimin.
Me një ton pak sarkastik Voltaire ka thene: “Dua që avokati im, rrobaqepësi im, shërbëtorët e mi, madje dhe gruaja ime, të besojnë në Zotin. Nëse ata bëjnë këtë, do të më mashtrojnë e do të më vjedhin më pak.” Ndërsa Dostojevski ka thene: “Nëse Zoti nuk do të ekzistonte, gjithçka do të ishte e lejueshme.” Por këto dy pohime, në fakt, tregojnë se besimet luajnë një rol shumë të rendësishëm për një rend të mirë në shoqëri. Dhe një rend të mirë shoqëror perfshin para gjithash drejtësinë dhe paqen shoqërore.
Në Bibël lexojme se Zoti tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë” (Zan 1, 26). Dhe në Kuran lexojmë: “Kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Unë po krijoj në tokë një zëvendës’” (Sura Bekare, 30). Të dy tekstet tregojnë dinjitetin e veçantë që gëzon njeriu ne krijimin, dhe prandaj edhe respektin për të cilin çdo njeri ka të drejtë. Besimi në një Zot krijues detyrimisht përfshin një respekt të vërtetë dhe më të thellë ndaj çdo njeriu, i cili ka një dinjitet të veçantë.
Prandaj besimet nuk janë për luftra: janë për paqen, dhe për atë paqe që ka themelet në drejtësi. Ka shumë hapësirë për besimet që të bashkëpunojnë edhe më shumë për të mirën e përbashket të shoqërisë njerëzore, po të japin më shumë rendësi vlerave që kanë të përbashkëta. Pikërisht këtë Papa Gjon Pali II ka këmbëngulur kur ka folur në një mbledhje shume të madhë të rinjsh Morokinë në Casablanca në 1985: “Të krishterë dhe mislymanë, ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, si besimtarë dhe si njerëz. Jetojmë në të njëjtën botë, të shquar me shumë shenja shprese por edhe me shumë shenja ankthi... Besojmë në të njëjtin Hyj, Hyji i vetmi, Hyji i gjallë, Hyji që krijoi botën dhe çon krijesat e tij drejt persosmërisë së tyre”.
Dhe në 2001, kur ambasadori i ri i Iranit pranë Vatikanit paraqiti letrat kredenciale, Papa Gjon Pali II tha: “Në dialogun mes kulturave, njerëzit vulnetmirë vërejnë se ka vlera të përbashkëta për të gjitha kulturat, sepse janë rrënjosur në vetë natyrën e personit njerëzor: vlera që shprehin tiparet më autentike dhe dallueshme të njerëzimit: vlera si solidaritet dhe paqe, vlera e arsimit, vlera e faljes dhe të pajtimit, vlera e vetë jetës.”
B. MARRËDHËNIET NDËRFETARE NË SHQIPËRI
Megjithatë, fatkeqësisht, besimet mund të manipulohen nga politikanët dhe kështu bëhen mjet konflikti. Në nëntor 1999 kam qenë i pranishëm në asamblenë e përgjithshme të Konferencës Botërore për Fenë dhe Paqen të mbajtur në Amman, Jordani. Në atë asamblenë Princi El Hasan bin Talal tha: “Ato konflikte që përshkruhen si ‘konflikte fetare’ zakonisht kanë të bëjnë pak me fenë dhe edhe më pak me doktrinën fetare”.
Në të njëjtën asamble, ish-Arqipeshkvi anglikan i Canterbury-s Dr. George Carey ka pohuar: “Atje ku lindin konflikte ndërmjet bashkësive (fetare) ... politikanë apo njerëz të tjerë përdorin shpesh fenë si një mënyrë për të justifikuar apo për të thelluar konfliktin.”
Dhe në një takim ndër-fetar për Evropën jug-lindore, që u mbajt në Budapest në maj 2000 Bodo Hombach, ish-koordinator i paktit të stabilitetit për Evropën Jug-lindore, tha: “Paqja dhe pajtimi janë termat fetare kyçe për kohët tona. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se së voni dhe jo shumë larg prej këtu, njerëz cinikë dhe të pangopshëm e kanë instrumentalizuar fenë për të ndihmuar përhapjen e flakëve të konfliktit, me qëllim që të arrinin qëllimet e tyre brutale, e disi ekonomike.”
Shqipëria është krenuar gjithmonë për traditën e bashkëjetesës paqësore ndërfetare. Para vizitës së tij në Shqipëri në 1993, Papa Gjon Pali II ka thënë: “Dëshiroj me gjithë zemër që kjo vizitë të shërbejë për të përforcuar lidhjet tradicionale të bashkëjetesës vëllazërore që ka karakterizuar gjithmonë marrëdhëniet ndërmjet feve të ndryshme në atdheun tuaj.” Alfred Moisiu, ish-President i Republikës, në fjalimin që ka mbajtur për ambasadorët shqiptarë me mision në vende të ndryshme më 30 gusht 2002 ka thënë: “Nuk mund të injorojmë praninë e feve të ndryshme në atdheun tonë, por duhet të vlerësojmë rolin e tyre për krijimin e një atmosfere tolerance në shoqërinë tonë. Shqipëria mund të krenohet për bashkëjetesën harmonike të bashkësive fetare. Një karakteristikë themelore e qytetërimit shqiptar është toleranca fetare dhe kjo nuk lë hapsirë për asnjë lloj fondamentalistësh.”
Po të pyesim pse në Shqipëri, deri tashti, besime të ndryshme kanë bashkëjetuar në paqe, pa qenë rast konflikti si në shumë vende të tjera?
Përgjigja që i jepet kësaj pyetjeje zakonisht është: Sepse feja e shqiptarëve është shqiptaria. Në librin sapobotuar Rrugë drejt Dialogut Ndërfetar në Shqipëri janë cituar disa herë ato fjalë të Vaso Pashes: “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria”. Fatkeqësisht, këto fjalë të Vasos shpeshherë citohen duke harruar kontekstin historik dhe kuptimin origjinal të tyre. Sepse janë fjalë që janë shkruar “në një moment të caktuar historik, kur fetë kishte rrezik të instrumentalizoheshin për qëllime politike” (Ferd. Leka).
Por mënyra si citohen këto fjalë të Vasos jep përshtypje së pari se shqiptarët janë më shumë nacionalistë sesa shumë popuj të tjerë – përsonalisht besoj se kjo nuk është e vërtetë – , dhe së dyti se shqiptarët janë më pak besimtarë se popujt e tjera – as kjo, sipas mendimit tim, nuk është e vërtetë. Jam shumë dakort me Ernest Koliqi, që tha: “Shqiptari e ndien shumë nevojën për të besuar në një Qenie supreme ... Poezia popullore është një dëshmi e pakundërshtueshme ... Por nëse shqiptari ka prirjen të besojë në Zotin dhe këtë e shpall dhe e shfaq në çdo çast të jetës së vet të përditshme, që zhvillohet në kontakt me bashkëkombas besimesh të tjera fetare, i pëlqen gjithashtu t’i mbajë për vete hollësitë specifike të besimit që ushtron”.
Pse, atëherë, besimet e ndryshme nuk kanë qenë rast për konflikte në Shqipëri? Sipas mendimit tim, për dy arsye.
Së pari, sepse Shqipëria ka pasur fat se nuk ka pasur udhëheqës politikë që kanë manipuluar besimin për qëllime politike, si ka ndodhur në këto vite të fundit në shumë vende që janë bërë djep për fondamentalizmin islamik, ose si ka ndodhur në Ballkan, ku politikanët i kanë dhënë një fizionomi fetare luftrave që kanë ndezur, gjoja se këto janë konflikte ndërmjet muslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë. As jemi në një situatë e ngjashme me atë të Irlandës Veriore, ku konflikti ndërmjet pro-britanikëve dhe pro-irlandezëve ka marrë formën e një konflikti fetar ndërmjet protestantëve dhe katolikëve.
Së dyti, besoj se duhet të jemi shumë mirënjohës udhëheqësve të bashkësive fetare në kombin tonë, të cilët, deri tashti, kanë qenë shumë të urtë dhe shumë të kujdesshëm për të kontrolluar elementet ekstremiste brenda komuniteteve të tyre. Shpresojmë dhe të lutemi të kemi gjithmonë udhëheqës të tillë për bashkësitë tona fetare. Vetëm kështu mund të jenë udhëheqës të denjë e besimeve që nuk janë për luftra, por për paqen dhe vëllazëri.
Do të doja ta përfundoja këtë kumtesë duke cituar mesazhin përfundimtar të Asamblesë Ndërfetare që është mbajtur në Vatikan në tetor të vitit 1999: “U bëjmë apel udhëheqësve fetarë që të zhvillojnë shpirtin e dialogut brenda bashkësive të tyre përkatëse dhe që të jenë të gatshëm të hyjnë vetë në dialog me shoqërinë civile në të gjitha nivelet. U bëjmë apel të gjithë udhëheqësve të botës, në çfarëdo fushe të influencës, që të refuzojnë ta përdorin fenë për të nxitur urrejtje dhe dhunë; që të refuzojnë ta përdorin fenë për të justifikuar diskriminimin; që ta respektojnë rolin e fesë në shoqëri në nivelet ndërkombëtare, kombëtare dhe vendore; që ta çrrënjosin varfërinë dhe që të përpiqen për të vendosur drejtësi shoqërore dhe ekonomike”.
Unë mendoj se këto fjalë na parashtrojnë një program të shkëlqyer për një dialog të mëtejshëm ndërfetar dhe për bashkëpunim. (nga Mons. George Frendo)
Tiranë 2 nëntor 2010







All the contents on this site are copyrighted ©.