2010-11-02 10:22:22

Hil Mosi: Mbramja 1 Nânduer


Mbramja 1 Nânduer
Pushojti ulërima edhe vaji,
Qi ditën t’vjetrat vorre patën mblue!
N’qetsí t’mjerushme ra tek ka Ermaji
Mbî zall veç ndihet Kiri tue ushtue.
Qe hyjt e hâna m’qiell tek lamparisin
E fushën mbarë e mblojnë m’nji dritë të zbét,
Do drita t’ndezme mbi shum vorre ndrisin...
Mbi tufa lulesh, rrxue me krye për dhét.
Vorrtari, i cili s’njef ç’âsht friga e mnera
Tek shkon mbi vorre dritat tue i shue,
E si mbaron, këthen... po fryn m’turr era,
E gjetht i bân nga nji e nji m’u rrxue...
E kukuvajca mbi qinar, e mjera...
Përpiqet vajin si për m’e mbarue!...
Hil Mos, 1931
Mbramja e 1 nandorit, âsht vigjilja e ditës së Shumve. Të krishtenët, në Shkodër, si gjithkund, gjatë gjithë këtij moji shkojnë për me bâ vizitë ndër vorre, tue çue lule e kunora të dashunve të vet qi s’janë mâ. Vorreza katolike në Shkodër, e cila përmêndet prej autorit, quhet Ermaj, ose Rrmaj, dhe shtrîhet në verilindje të qytetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.