2010-11-01 16:46:59

TV, sonte në Rai 1, pjesa II e filmit “Mbi qiellin e Romës”, kushtuar Papës Piu XII.


(01.11.2010 RV)Disa episode lidhur me papninë e Piut XII e edhe disa faqe dramatike, që jetoi kryeqyteti i Italisë gjatë Luftës II Botërore. Janë këto kapitujt kryesorë, përmes të cilëve zhvillohet filmi “Nën qiellin e Romës”, prodhuar nga Lux Vide, seria e parë e të cilit u shfaq mbrëmë në Rai 1. Sonte, seria e dytë e filmit, për të cilin flet, në mikrofonin tonë, presidenti i Lux Vide, Ettore Barnabei:RealAudioMP3

Përgjigje: - Duhej t’ia dilnim mbanesh për të përmbledhur thelbin e kësaj papnie, që pati rëndësi të dorës së parë edhe për historinë e botës, sepse Kisha luajti një rol vendimtar në Luftën II Botërore, pikërisht duke u përpjekur të kufizojë pasojat më shkatrrimtare e për t’i hapur rrugën paqes.

Pyetje: - Cili është portreti i Piut XII në këto rrethana?

Përgjigje: - Del në pah një njeri me vlerë të jashtëzakonshme morale e shpirtërore, por edhe me zgjuarësi e maturi të madhe politike. Problemi ishte të shpëtohej Roma nga shkatërrimet e një lufte, që po rrezikonte ta kthente gjithë botën në gërmadhë. Shtetet e mëdha, me ushtritë e tyre, i kishin përcaktuar deri në hollësitë më të imta planet e betejës brenda qytetit të Romës. Impenjimi i Papës ishte pikërisht ta shpëtonte Romën nga një shkatërrim, që do të ishte tmerrues. Roma mund të bëhej një Stalingrad tjetër.

Pyetje: - Cila është, sipas jush, skena më prekëse e filmit?

Përgjigje: - Një nga të fundmet, kur gjenerali Volf pranoi të shkojë në Vatikan, i nxitur nga të katër anët, me nismën e Papës Piu XII; e Papa i kërkoi që gjermanët të tërhiqeshin pa luftë. Kjo ishte rrugëdalja e fundit. Papa u përpoq të siguronte nga të dyja ushtritë e nga të dyja forcat një deklaratë, që ta njihte Romën ‘Qytet i hapur’. Por nuk ia doli mbanesh. Atëherë kërkoi, e ia arriti, që ushtria gjermane të tërhiqej, para se të arrinin angloamerikanët. Në të njëjtën kohë u kërkoi angloamerikanëve ta vononin hyrjen në Romë.

Pyetje: - Papa Benedikti XVI e pa filmin verën e kaluar. Ç’tha për të?

Përgjigje: - Mbeti tejet i prekur. Filmi e tërhoqi dhe e kënaqi. E pëlqeu, sidomos, për cilësitë artistike e teknike. Pastaj, veçanërisht, për besnikërinë ndaj historisë e për mënyrën sesi dëshmohet, pa frymë polemike, sa pa bazë janë akuzat kundër Piut XII.







All the contents on this site are copyrighted ©.