Me 2 nëntor, përkujtimi i të gjithë besimtarëve të vdekur.
Derisa Dita e të Gjithë Shenjtorëve perëndon, përgatitemi për nesër 2 nëntor, dita
e përkujtimit të të vdekurve, kur do të nisemi simbolikisht për një shtegtim, sa të
dhimbshëm, aq festiv: shtegtim drejt varreve të të dashurve të vdekur, po edhe drejt
varreve të gjithë njerëzve që e kanë paguar me jetë besnikërinë ndaj idealeve të mëdha
në rrjedhë shekujsh e në kohët tona. Me këto ndjenja përulemi realisht e simbolikisht
mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të reja, varre
martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur, nënash e baballarësh,
vëllezërish e motrash. Përkulemi me lutje në buzë e me lot në sy për të dashurit që
më s'janë.
Por, duke u ndodhur në vendet që të ngjallin një trishtim të thellë,
nuk duhet të harrojmë se kjo ditë për Kishën është një ditë e madhe feste. Ata që
nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë, na kanë treguar me
jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta hedhur në tokë. E
në këto ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi dridhet për
të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se kurrë, se
bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit!