2010-11-01 12:58:28

Duhet të jenë 50 të vdekurit e 80 të plagosurit në atentatin dramatik të djeshëm në katedralen e Bagdadit. Dy meshtarë u vranë menjëherë pas sulmit.


(01.11.2010 RV)Vijon të rritet bilanci i masakrës së kryer mbrëmë nga terroristët e Al Kaedës mbi një Kishë, në qendër të Bagdadit: burime të sigurimit flasin për 50 të vdekur e 80 të plagosur.
Ndërmjet 37 besimtarëve të vrarë gjatë sulmit të forcave speciale në kishën e Bagdadit, janë edhe dy meshtarë, pesë gra e shtatë fëmijë. Në bilancin zyrtar të Ministrisë së Brendshme irakiane, konfirmohet gjakderdhja pas sulmit në katedralen siro-katolike të Zojës së Shpëtimit, në të cilën një komandë e Al Kaedës kishte sekuestruar besimtarët, që po ndiqnin kremtimin e Meshës Shenjte. Një dëshmitar tregoi se terroristët ishin të veshur me uniforma ushtarake e se, sapo hynë në Kishë, qëlluan mbi njërin nga priftërinjtë, ndërsa besimtarët iknin të terrorizuar. Sulmi ndodhi gjatë Meshës së mbrëmjes.
Njoftohet se pengjet e plagosura janë 56. Ndërmjet tyre, dhjetë gra, tetë fëmijë e një meshtar, i goditur në njërën nga veshkat. Forcat e sigurisë vranë shtatë burra e plagosën pesëmbëdhjetë të tjerë. Vdiqën edhe pesë terroristë të grupit irakian të Al Kaedës, ndërsa tetë u arrestuan. Së paku një prej tyre u hodh në erë, duke shpërthyer një brezbombë, në sa arrinin forcat irakiane të sigurisë, të ndihmuara nga ushtarakët amerikanë. Në çastin kur forcat ushtarake hynë në Kishë, numri i pengjeve ishte më se njëqind. Organizata për Shtetin islamik në Irak, krahu irakian i Al Kaedës, e pohoi autorësinë e këtij krimi të ri, përmes një kanali të internetit. Terroristët kërkonin lirimin, brenda 48 orëve, të grave myslimane që, sipas tyre, mbahen të mbyllura në manastiret kopte, në Egjipt.
Është sulm i përgatitur prej kohe, pohoi atë Yosef Mirkis, epror i Kishës domenikane në Irak. Në se llogarisim armët e lëndët shpërthyese, që u përdorën, nuk mund të themi se u përgatit në një a dy ditë të vetme.
Ngjarje, që shkakton dhimbje të tmerrshme, nënvizoi ipeshkvi kalde i Bagdadit, imzot Shlimun Varduni, sepse akt çnjerëzor. As kafshët nuk bëjnë mizori të tilla. Të lutemi për viktimat, fton ipeshkvi kalde, e edhe për terroristët, që zemra e tyre të kthehet në rrugën e Zotit.
Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, nënvizon shqetësimin e thellë të Selisë së Shenjtë për këtë ngjarje dramatike, duke uruar që t’i jepet fund dhunës.

Në Irak, në vitin 2003 jetonin 800 mijë të krishterë, por tani numri i tyre është pakësuar; kanë mbetur vetëm 550 mijë, nga të cilët shumë kanë frikë të qëndrojnë në vend e mendojnë të ikin përgjithmonë, për t’u shpëtuar atentateve, që vijojnë. E pas këtij atentati të shëmtuar, mbarë bota e ka të qartë pse të krishterët irakianë e ndjejnë veten krejt të pasigurt në vend të vet, e deri rreth elterit të Kishave të veta.







All the contents on this site are copyrighted ©.