2010-11-01 16:47:18

Atë Lombardi, viktimave të shpërdorimeve seksuale: të bëhemi aleatë


(01.11.2010 RV)Dje, një grup viktimash të shpërdorimeve seksuale të klerit, ardhur nga e gjithë bota, manifestuan në sheshin para Kështjellës së Shën Engjëllit, shumë pranë Vatikanit, jo kundër Kishës – siç u shprehën ata vetë – por kundër heshtjes së Kishës.
Në një letër, që u dorëzoi organizatorëve, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, propozon një aleancë ndërmjet viktimave dhe Kishës Katolike, për të luftuar kundër dramës së abuzimeve dhe turpit, që rrjedh prej saj.
“Betejën – shkruan ai – duhet ta bëjmë gjithnjë e më tepër duke bashkuar forcat kundër përhapjes së kësaj plage, që sot, përdor mjete e rrugë të reja, lehtësohet nga interneti e nga format e reja të komunikimit, nga kriza e familjeve, nga turizmi e trafiku seksual, që shfrytëzon varfërinë e njerëzve në kontinente të ndryshme… Mësimet, që nxjerr Kisha gjatë këtyre viteve, edhe me shtysën tuaj e të grupeve të tjera, si edhe nismat që ndërmerr për t’u pastruar e për t’u bërë model sigurie për të rinjtë, duhet të bëhen të dobishme për të gjithë. Për këtë, ju ftoj ta shihni Kishën – përfundon atë Lombardi letrën e gjatë e prekëse – gjithnjë e më tepër si një aleate të mundshme, ose, sipas meje, si një aleate, aktive që sot, për qëllimet më fisnike të betejave tuaja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.